Një Kuvend dhe ca deputetë në pritje të pazareve

Nga Gjergji Koja

Partia Demokratike përmbylli dje Kuvendin e saj Kombëtar ku u votuan anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, si momenti më i rëndësishëm i shfaqjes politike të një force që ka një rrugë të gjatë përpara me kthesa e gropa.
U quajt Kuvendi i bashkimit dhe rithemelimit. Në fakt ishte një Kuvend pa Gazin dhe Lulin, ndërsa diku në sallë ndodhej deputetja Ina Zhupa që në 18 dhjetor iu tha goja duke lexuar 5004 emrat e delegatëve që ishin ulur në ato karriget e Pallatit të Kongreseve.

Askush nuk e vinte në dyshim që Rithemelimi me në krye Sali Berishën do të mbushnin sallën me delegatë, pasi 5 muaj më parë mbushën një stadium. Sikundër askush nuk e vinte në dyshim që në këtë Kuvend nuk do të ishin prezent Lulzim Basha, Gazment Bardhi apo Enkelejd Alibeaj, bashkë me 3-4 emra të tjerë ligjvënësish që i përkasin këtij grupimi.
Pikëpyetja ishte mbi ata deputetë që kanë mbajtur le të themi një distancë nga Basha dhe Berisha, që shfaqen kudo si idhtarët e bashkimit, por që në fakt nga dje janë po aq pa personalitet dhe shtyllë kurrizore sa ata kolegët e tyre socialistë që i ka vënë në rrjesht Edi Rama.

Secili prej tyre mund të shkonte në sallën e Pallatit të Kongreseve dhe t´ia thoshte në sy Berishës dhe cilitdo tjetër që kishte ai në krah qëndrimin e tyre, qoftë ti kujtonin edhe “non grata-n”, të jepnin çdo qëndrim, pavarësisht se mund të fishkëlleheshin, apo ti flisnin një salle gjysëm plot. Ata dje mund të sfumonin me qëndrimin e tyre çdo zhvillim të Kuvendit.

Thjesht ata zgjodhën të mos jenë, së pari se kishin frikë se mos legjitimonin tezën e një bashkimi apo rithemelimi, dhe së dyti pjesëmarrja e tyre në Kuvend, sipas konceptit që kanë nuk do linte hapësirë për pazar.

Kjo kategori deputetësh, që fatkeqësisht përbëjnë shumicën e grupit parlamentar, nuk qëndrojnë neutralë se u dhimbset sot Gazment Bardhi, Enkelejd Alibeaj apo Lulzim Basha! Nuk qëndrojnë neutral as se kanë ndonjë mllef apo inat me Sali Berishën! Thjesht ata do tentojnë t´i rrisin vetes kuotat, dhe rrjedhimisht edhe pazarin.

Pjesa më e madhe e neutralëve të sotëm do jenë të gatshëm t´i puthin dorën Berishës nëse ai i ofron pazar, sikundër do të ngrenë duar e këmbë bashkë për të legjitimuar vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Alibeajt si Kryetar i Grupit Parlamentar.

Ata e kanë të qartë se Berisha pa to nuk mund të largojë Alibeajn, pasi po të kishte qoftë edhe një hapësirë të vogël, Enkelejdi s´do qëndronte në atë funksion që prej 26 marsit.

Është pikërisht kjo kategori ligjvënësish që as duan bashkim, as duan rithemelim, as duan një PD të fortë, as duan Lulin, as Berishën, as Enkelejdin, as ambasadoren e SHBA dhe SHBA. Thjesht ato duan pazar, duan të ruajnë një zonë influence në qytetet ku ata u kandiduan si deputetë të listës.

Shembulli është i thjeshtë. Një prej këtyre deputetëve, dy apo tre ditë para Kuvendit Kombëtar, tentoi një pazar. Kërkoi që kryetari i degës së qytetit ku ishte mandatuar si deputet më 25 prill, të mos ishte i shpalluri si fitues, por ai që renditej më poshtë. Në momentin që oferta iu refuzua, nuk morri pjesë në Kuvend.

Dhe për ta thjeshtuar është një nga deputetët e qarqeve të Shqipërisë së mesme, pa ndonjë sasi votash në emrin e vet, por duket se kuptoi hallin që kishte Rithemelimi për të pasur në sallën e Pallatit të Kongreseve sa më shumë nga këto neutralët.

Nga sot, topi është pikërisht në fushën e këtyre deputetëve për të pranuar vendimin që Kryetar i Grupit Parlamentar të mos jetë Alibeaj, por një prej emrave që do të zgjidhen nga Këshilli i ri Kombëtar, si nënkryetar i PD, dhe automatikisht do të jetë edhe kreu i deputetëve.

Politikisht ato mund të mbyllin çdo llogari me PD-në, me përjashtim të 5 apo 6 emrave që mund të kenë një ego politike dhe mund të dalin përtej pazareve me Berishën apo cilindo tjetër. Por shumica e “neutralëve” e kanë të qartë se nuk mund të prodhojnë aksione politike dhe në kushte të tilla janë numra në Kuvend.

Në aspektin elektoral ata mund të mos i bëjnë asnjë dëm PD-së, pasi kjo u provua së paku me 3 nga të rikthyerit në këtë parti, që me 25 prill, të 3 bashkë nuk arritën të marrin vota as sa Luçiano Boçi në Elbasan.

Por në Parlament ata mund të bëjnë golin. Jo si politikanë, por si njerëz që s´kanë shtyllë kurrizore dhe si të tillë herë mund të shfaqen në krah të Alibeajt, herë të Bardhit, herë të Berishës (po të jetë i gatshëm për pazare), dhe pse jo edhe të Edi Ramës, nëse do të jetë në vështirësi.

Nëse ata nesër apo në vijim do ti shikoni si të “penduar”, thjesht kanë arritur të marrin atë çfarë kërkojnë dhe dihet se kush mund t´ja ofrojë.

Related posts

Mblidhet kryesia e PD, ja data kur do të mbahet protesta kombëtare

Deklarata e fortë e Spiropalit: Unë dhe treçereku i ministrave e deputetëve mund të mos jemi më në…

Manastirliu në SPAK/ Vokshi zbardh detajet e bujshme: Ja shuma marramendëse e paguar nga ministrja për maskat mbrojtëse!