Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka folur sërish sot për protesta, por pa thënë se çfarë do të ndodhë, pasi kishte paralajmëruar që në verë.
Duke mos thënë një datë apo nëse ka një plan për protestën Berisha ka lëshuar disa akuza kundrejt kryeministrit Edi Rama.
“Unë kuptoj të gjithë ata qytetarë që nuk kanë mirëpritur shtyrjen e protestave. E shohin protestën si një domosdoshmëri ndaj një qeverie që nuk njeh ligj, normë e standard.
Një qeveri që me veprimet e saj vjedh qytetarët shqiptarë, shkelmon mbi të drejtat e tyre dhe de facto shkelmon mbi interesin kombëtar të shqiptarëve.
Nuk mund të vazhdohet më tutje.
Një njeri që mashtron në çdo gjë, kërcënon me arrogancë çdo kërkesë të drejtë. Një injorant që mburret se nuk ka master e doktoratë. Ndërpreu për 8 vite doktorata në universitetet e vendit, duke harruar se është komponent jetik”, është shprehur Berisha.
I ashpër Berisha ka qenë edhe në lidhje me deklaratat e Ramës kundrejt pedagogëve.
“Kalon nga takimi në takim dhe rreh gjoksin duke thënë se nuk ka as master e as doktoratë.
Por nuk ke sepse nuk ke mend, dhe tani gjithë këtë duf ua nxjerr pedagogëve. Çfarë është ky, çfarë produkti është ky. Edhe thotë le të rrinë ata me 5-6, nuk e lëvizin mesataren.
O do të lëvizësh mesataren ose do të ikësh. U thotë të rinjve nuk e ul mesataren. Nuk mund të konceptohet të kalojë njeriu deri këtu. Ka konceptin e etërve të tij që ishin për arsimin selektiv”, është shprehur Berisha.