Një gotë alkool në ditë mbron zemrën/ Mit apo Realitet?

Përpos çdo mbremjeje, për më tepër në fundjavë, në rrugët e Bllokut, të plazmuara nga një lloj i caktuar e gati uniform i muzikës ritmike, të pa kalueshme nga të rinj e nga makina të shtrenjta, në gjysëm errësirë përtej xhameve të lokaleve të pafund në numër, profilohen silueta elegante të rinjsh të mbuluara nga një vel tymi cigaresh e të fokusuara në gotat e alkoolit, verës, tekilës.

Në orët e para të mëngjesit gelojnë taksitë që përcjellin disa nga viktimat e kësaj maratone që me kembët e veta, apo të mbajtur përkrahu nga dikush, drejtohen për në shtëpitë e tyre për të kompensuar gjumin e munguar, deri në orët e pasdites.


Përse kaq shumë të rinj kanë nevojë të pinë dhe shpesh edhe të dehen?
Për t’u “argëtuar”,  për “mode”, për t’u bërë “tapë” apo sepse nën efektin e alkoolit është më e lehtë të bësh miq e sidomos “të lyesh e qetësosh me melhem” dhimbjet e dashurisë bashkëshoqëruese të moshave të reja. Ky nuk përben aspak news nëse është e vërtetë se “Biri i Zeusit dhe Semelës i dha verë njeriut për të harruar vuajtjen dhe dhimbjen”.

Rreziqet e alkoolit


Alkooli ka shoqëruar gjithmonë historinë e njeriut. Kudo dhe kurdo, në çdo cep të botës, pa dallim në mes të veriut dhe jugut, lindjes apo perëndimit. “Perëndia bëri ujin”, ndersa “Njeriu beri verën“,  shkruan Victor Hugo në nje nga kryeveprat e tij, La Fete chez Therese. Në të kundërt, nuk  ka asnjë tekst të lashtë, nga Greqia në Palestinë, e deri në Kinë, të cilët nuk kanë folur për alkoolin dhe sidomos dëmet e tij. Në të gjitha fetë ka referenca për të hequr dorë nga alkooli, për të paksuar konsumin e tij apo së paku për të mos e pirë në kohë të caktuara të vitit.
Ai është si çdo drogë tjetër, ndoshta edhe më keq, sepse vret më shumë se heroina, kokaina dhe hashashi. Ka një lidhje të ngushtë, sipas studjuesve, mes alkoolit, përdorimit të drogës dhe krimit. Alkooli vret çdo vit 3.3 milionë njerëz në mbarë botën, pra, është përgjegjes i 5.9% të vdekjeve globale, dhe shkaktar i 17.1% të aksidenteve rrugore. Në shifra, dëmet e alkolit janë të krahasueshme me ato të duhanit dhe, më shumë se SIDA, tuberkulozi apo sëmundjet kancerogjene.

Në një studim të bërë në Angli, nga Instituti i Shëndetit, rezultoi se rreth 40% e adoleshentëve pinë çdo fund javë, së paku 80 gram alkool (5 gota verë, ose 8 birra të vogla, apo 2.3 gota të vogla alkooli të fortë), duke profiluar kështu kontigjentin që kur të rriten të kenë predispozitë për tu berë pijanecë të rregullt.

Ndërsa në të rriturit, të cilët kanë filluat të pinë që në moshën 20 vjeç, vdekjet nga cirroza e mëlçisë janë 8 herë më shumë në raport me ata që nuk pinë.

Përse dhe si “vrasin” pijet? Çfarë ndodh në trurin dhe melçinë e atij që pi?


Alkooli vepron në nivel të substancave që rregullojnë transmetimin ndërqelizor të impulseve nervore,  të tilla si dopamina, katekolaminat dhe serotonina. Është pikërisht çlirimi i dopaminës që nxit euforinën dhe dëshirën për të folur, lehtëson marrëdhënjet me njerëzit e tjerë, të bën të ndjehesh më i lirë dhe më i  plotfuqishëm. Por, kur sasia e marrë e alkoolit rritet shumë, pasohet nga një efekt frenues i trurit, bie tensioni i gjakut, humbet mundësia për të kontrolluar temperaturën e trupit, fillon vështirësia në frymëmarrje dhe së fundi vjen koma. Në këtë moment, vdekja është shumë pranë.
Përpos trurit, edhe mëlçia vuan shumë nga përdorimi i alkoolit. Edhe marrjet e vogla të alkoolit, por të përditeshme, çojnë në depozitim të yndyrnave në mëlçi (steatozë e quajnë mjekët). Ky depozitim, shkakton një formë të inflamacionit (hepatit e quajnë mjekët) që jo rrallë mund të transformohet në cirozë dhe kancer të mëlçisë.

Më shumë se 40-80 gram alkool në ditë për burrat dhe 20-40 për gratë, brenda 10-12 viteve, me siguri do të çojnë në sëmundje të mëlçisë.
Studimet e fundit kanë konfirmuar edhe një lidhje të drejtpërdrejtë midis rritjes së konsumit të alkoolit dhe rritjes së rrezikut për hemoragji cerebrale, sëmundje të zemrës, krizave fatale të tensionit të lartë, çarjes së aortës dhe të kancerit.

Një gotë alkool në ditë, Mit apo Realitet?


Atë natë magjike, në verën e vitit 1991, nga një bar në Lyon, me një gotë vere në dorë, i frymëzur nga Paradoksi Francez, observimi epidemiologjik sipas të cilit francezët megjithse konsumojnë më shumë vaj, gjalpë dhe yndyrë shtazore se vendet e tjera të europës perëndimore, vuajnë më pak nga sëmundjet e zemrës. Frankofili Safer do të insistonte se enigma (paradoksi) franceze shpjegohej vetëm nga kjo gotë verë e kuqe e cila nëpërmjet molekulave me veti antioksiduese, polifenet që ajo përmban, ka efekte mbrojtëse në shëndetin tonë dhe sidomos në zemër.


Ju deshën vetëm 60 minuta historike, që i ndjeri Morley Safer të bindë amerikanët dhe të çimentojë në vetëdijen e tyre efektet mbrojtese të verës së kuqe në zemër, reflektuar në faktin që vetëm në 5 vjet konsumi i verës së kuqe në amerikë të dyfishohej. Për më tepër konsumatori amerikan do të insistonte të pinte të njejtën verë që pinin francezët.
Më pas, në korrik të 1992, Safer, i pompuar si një star Hollivudi, do ta shkelte akoma më fort gazin;  “Provat e efekteve pozitive të dozave të vogla (moderuara) të alkoolit në shëndetin e njerëzve janë evidente dhe në rritje”, duke çimentuan në psikikën amerikane justifikimin në dukje të padurueshëm për të pirë rregullisht nga një gotë vere franceze.
Pavarësisht nga popullariteti i teorisë, Shoqata Amerikane e Zemrës thekson, në faqen e saj zyrtare, se nuk ka asnjë lidhje statistikore të përdorimit të verës me vdekshmërinë nga sëmundjet e zemrës, duke thyer shkencërisht mitin popullor që konsumi i moderuar i alkoolit është i mirë për zemrën. Ata insistojnë se shumë nga antioksidantët e përfshirë në verë, janë të pranishëm edhe në fruta apo dhe perime të tjera, ku spikat brokoli.
Kë do të zgjidhnit si antioksidant midis brokolit dhe verës Bordeaux? – e pyetën themeluesin e institutit shkencor Mario Negri në Bergamo, Silvio Garattini. Pa dyshim brokolin, do të përgjigjej ai. Po nëse do të ishte gjallë Safer Morley? – “A votre santé,” do të thoshte ai, duke ngritur një gotë vere.
Ata pinë “për t’u argëtuar”, “për t’u dehur”. Sigurisht kanë të drejtë pasi “vera kënaq zemrën e njeriut”, por ata duhet të mësojnë t’a gëzojnë atë në mënyrë të sigurtë.


    Prof Dr. Myftar Barbullushi

Related posts

4 Faktorët kryesor që rrisin tensionin e gjakut

Ja sa herë në javë duhet të lani flokët gjatë verës

Kura energjike për tretjen dhe stomakun – Uthull molle, kanellë, xhenxhefil