Laçi përmbys Vllazninë, 1-2 në “Loro Boriçi”, në ndeshjen e javës së 31-të të Superiores. Një ndeshje emocionuese, me shkodranët që kërkonin të përqafonin vendin e parë, ndërsa kurbinasit me misionin e tyre për tu larguar sa më shumë nga zona e ftohtë e tabelës së klasifikimit.
Kuqeblutë e nisën sfidën me një qarkullim të dendur të topit, në kërkim të hapësirave. Arritën të konkretizojnë lojën e tyre në minutën e 18-të, ku një krosim i Hakajt mori dhe devijimin e Kurtit për të përfunduar në rrjetën e portës së mbrojtur nga Dajsinani, 1-0 për Vllazninë.
Megjithatë, në pjesën e dytë Laçi u paraqit me një tjetër ritëm, kjo falë dhe ndryshimeve të bëra nga trajneri Cungu në formacion. Fillimisht është Tresa 57’ që vendos barazpeshën me një diagonale nga e djathta e sulmit, ndërsa në minutën e 82-të kompletohet përmbysja.
Është Ujka që ekzekuton saktësisht një goditje dënimi, për të vulosur 2-1, që është dhe rezultati i kësaj sfide. Vllaznia mbetet në kuotën e 51 pikëve në vendin e 2-të, ndërsa Laçi ngjitet në 38 pikë në vendin e 7-të.
KRONOLOGJIA E NDESHJES
82′ Gol LAÇI ! Kurbinasit përmbysin gjithçka. Serxho Ujka ndëshkon shkodranët me një supergol nga goditja e dënimit. (VIDEO)
57′ Gol LAÇI ! Kurbinasit barazojnë gjithçka. Myrta pason drejt Tresa që finalizon me një supergoditje nga krahu i djathtë i zonës. (VIDEO)
18′ Gol VLLAZNIA! Hakaj tenton të krosojë nga krahu i majtë, me topin që devijohet nga Kurti dhe përfundon në rrjetë. (VIDEO)
16′ Përsëri mundësi e mirë për shkodranët. Kemi një krosim në shtyllën e dytë për Çobën, ky i fundit tenton ta drejtojë sferën drejt qendrës por pret përsëri Dajsinani
13′ Krosimi nga goditja e dënimit i drejtohet shtyllës së dytë, por largohet nga kurbinasit. Pas spastrimit të zonës topin e merr Sala që fluturimthi godet, por pret Dajsinani.