New York Times “skanon” Vuçiç: “Shtëpia horror” dhe lidhja me botën e krimit! Huliganizmi dhe dhuna ndaj shqiptarëve

Gazeta amerikane New York Times ka publikuar një shkrim të gjatë si një investigim të hollësishëm të jetës para angazhimit në politikë dhe më pas në poste të rëndësishme, të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç i cili gjatë gjithë karrierës së tij është pëfolur për lidhjet me bandat kriminale por edhe me krimet më të rënda në shtetin serb.


Shkrimi i titulluar ‘Presidenti, huliganët e futbollit dhe një ‘shtëpi horrori e botës së nëndheshme’ i bën një skaner Vuçiçit, me një dëshmi tronditëse.

Gazeta thotë se evidenton prirjet e tij të dhunshme dhe një episod ku ai që udhëheq sot Serbinë u përfshi në një konflikt të dhunshëm me shqiptarët.

Gjithçka duket se e ka pasur zanafillën në një ndeshje futbolli, ndërsa Vuçiç ka qenë pjesë e një grupi huliganësh të cilët synuan goditjen e shqiptarëve etnike dhe “tu jepnin atyre një mësim”. Të gjithë historinë e ka treguar një personazh i lidhur me presidentin serb.

“Huliganët më të vjetër i thanë B. dhe miqve të tij që të gjenin një grup të ngjashëm të rinjsh që mbështesnin ekipin tjetër kryesor të Beogradit, Partizanin, dhe t’i sfidonin ata në luftime ‘për të parë se kush është trim dhe kush jo’.

Të gjithë huliganët e rinj në tribunën veriore ishin nacionalistë të rinj, tha B., përfshirë Vuçiçin. Ndër thirrjet ishte “Serbi, jo Jugosllavi”. Pas një loje në vitin 1988 dëgjuam për një përplasje mes serbëve dhe shqiptarëve etnikë. Shkuam “për të gjuajtur” shqiptarët në Beograd pas një loje, me shpresën se do të thyenim disa dyqane dhe t’u jepnim një mësim shqiptarëve. Përfunduan duke bërë sherr në rrugë. Presidenti Vuçiç ishte gjithashtu në këtë sherr”, shkruan New York Times.


Në shkrim thuhet se nëse stadiumi i futbollit formësoi karakterin e Vuçiçit, lufta ishte vendi ku ai mësoi politikën.

“I sapo mbaruar shkollën juridike në vitin 1991, ai u bë nxënës pranë një politikani serb të ekstremit të djathtë të quajtur, Vojisllav Sheshel. Ishte në të njëjtin vit kur Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësinë e tyre, duke shkaktuar konflikte të përhershme dhe brutale që do ta copëtonin Jugosllavinë në disa shtete. Shesheli, një ithtar i spastrimit etnik, ishte një i dobishëm për Millosheviçin, i cili mund ta tregonte atë si provë se disa serbë ishin edhe më ekstremë se ai.

Partia Radikale e Sheshelj rekrutoi një milici që u bë e njohur për tërbimet e saj në Serbi, Bosnje dhe Kroacinë lindore, ku ata grabitën, torturuan, vranë dhe dëbuan civilë joserbë. Shesheli një herë tha se njerëzit e tij do të përdornin lugë të ndryshkur për t’u hequr sytë e armiqve të tyre, megjithëse më vonë ai pretendoi se ky ishte humor i zi.

Ai përfundimisht u padit dhe u dënua për krime kundër njerëzimit nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në Hagë. Vuçiç ishte një mbështetës entuziast i partisë së Sheshelit dhe ai shpejt u bë anëtari më i ri i Parlamentit të Serbisë.

Në vitin 1995, disa ditë pas masakrës së gati 8,000 myslimanëve boshnjakë rreth Srebrenicës, Vuçiç mbajti një fjalim në të cilin deklaroi: Nëse na bombardoni, nëse vrisni një serb, ne do të vrasim njëqind muslimanë. Edhe pse kanë kaluar dekada që nga ajo kohë, Vuçiç nuk ka kërkuar kurrë falje plotësisht për krimet e kryera në emër të Serbisë apo për retorikën e tij. Ai i ka trajtuar si heronj disa kriminelë të dënuar lufte në lirimin e tyre nga burgjet jashtë vendit”, vijon shkrimi.


New York Times e nis rrëfimin me detajet që tronditën Serbinë, kur një të shtunë në mbrëmje në fillim të marsit 2021, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për një zbulim të një bande.

“U shfaq në televizion drejtpërdrejt, i ulur në një tavolinë të gjatë prej druri dhe i rrethuar nga kryeministri dhe ministri i brendshëm i vendit. Vuçiç tha se kishte një njoftim të rëndësishëm për të bërë në lidhje me arrestimin e një bande të krimit përgjegjës për vrasje të shumta. Ministri i Brendshëm paralajmëroi shikuesit që të largonin fëmijët e tyre nga televizori. Një seri imazhesh u ndezën në ekranin pas tij: një kokë e prerë, një trup pa kokë, një bust.

Vuçiç foli ngadalë, shpesh duke ndaluar dhe duke i ngulur sytë në tryezën përballë tij. Ai vlerësoi Policinë dhe agjentët e inteligjencës që hetuan bandën. Ishte një prezantim tronditës, edhe në një vend si Serbia, ku shumë të rritur kanë kujtime të dhimbshme nga luftërat jugosllave të viteve 1990 dhe mizoritë e tyre. Por konferenca për shtyp ishte vetëm fillimi i një fushate zbulimesh të tmerrshme. Në javët pas arrestimit në shkurt, detaje të reja filluan të dalin në shtyp. Thuhej se banda i kishte joshur viktimat e saj në një “shtëpi tmerri” në një periferi të Beogradit, ku ata u torturuan, u copëtuan, e treteshin përmes një mulli mishi industrial dhe ndonjëherë i hidheshin në Danub.


Historia i tmerroi serbët, dhe jo vetëm për shkak të imazheve të tmerrshme. Kreu i bandës ishte një huligan trupmadh futbolli dhe trafikant kokaine i quajtur Veljko Belivuk, i mbiquajtur “Problemi”, tashmë një figurë e njohur në Beograd. Ai ishte akuzuar më parë për vrasje dhe një sërë krimesh të tjera të rënda, por kurrë nuk kaloi shumë kohë në burg. Ai u përfol se kishte marrëdhënie komode me Policinë dhe shërbimet e inteligjencës serbe. Ai dhe njerëzit e tij ishin fotografuar në shoqërinë e njerëzve të fuqishëm, përfshirë djalin e presidentit, Danilo Vuçiç”, thuhet ndër të tjera në shkrim.

Related posts

Lëkundje tërmeti në Greqi/ Ja ku ishte epiqendra

Nuk gjen qetësi Greqia! Goditet sërish nga një tjetër tërmet i fortë, ja ku ishte epiqendra

I treti brenda dy ditëve! Ishulli grek goditet përsëri nga tërmeti, banorët në panik!