Në maturë me karrige me rrota/ Videoja virale nga Elbasani bëri xhiron e rrjetit! Rrëfimi emocionues i të riut: Jam njeri i thjeshtë…

Prej disa ditësh, në rrjetet sociale është bërë virale një video shumë emocionuese, ku shfaqen disa maturantë nga Elbasani  në mbrëmjen e tyre të maturës. Mes tyre, ka tërhequr vëmendjen Angelo Duhanxhiu, i cili me karrige me rrota ka kërcyer mes të gjithë miqve.

Këta të fundit jo vetëm e kanë mbështetur shokun e tyre, por në disa momente të mbrëmjes janë ulur në tokë bashkë me të , si një gjest për ti treguar se mes tyre nuk ka dallime. Teksa videoja mori jehonën dhe është komentuar masivisht, ku mbi të gjitha është vlerësuar gjesti fisnik I miqve të Angelos, ky I fundit ka treguar për mikrofonin e Fax News për gazetaren Entela Duka detaje nga ky moment i paharruar dhe sesa i lumtur dhe falenderues është ai sot ndaj miqve të tij, veçanërisht për mesazhin që ata përcollën për mbarë shoqërinë që njerëz me aftësi ndryshe si ai duhen mbështetur e integruar në shoqëri.

“Unë nuk e prisja që videoja të bëhej aq virale. Unë kërceva me zemër. Të gjithë më njohin mua që unë kërcej kur jam me miq. Nuk e bëra që të bija në sy, madje as të më merrnit ju në intervistë. Kur ma dërguan djemtë videon në grup dhe më treguan që ishte bërë virale u lumturova shumë”, ka thënë Angelo.

Gazetarja: Ti sot je maturanti më i famshëm?

Angelo: ”Unë nuk jam i famshëm. Njeri i thjeshtë jam”.

Por jeta e të riut në Elbasan nuk ka qenë gjithnjë kaq me ngjyra. Vetë Angelo tregon se fëmijëria ka qenë më e vështirë për të, ndërsa ai me dashurinë dhe zgjuarsinë e tij ka ditur të fitojë zemrën e njerëzve që e kanë rrethuar.

Angelo: Jeta ka shumë vështirësi. Edhe unë kam pasur shumë vështirësi. Mbaj mend se kur  kam shkuar në shkollë ashensori nuk punonte. E rregulluan prindërit e mi. Problemi tjetër ishte se a do më pranonin shokët apo jo? Por ata më pranuan të gjithë, më dhanë dashuri, tamam si një vëlla.

Gazetarja: Po jashtë si reagojnë njerëzit kur të shohin janë dashamirës me ty?

Angelo: Jashtë ndryshon puna. Disa më flasin me dashamirësi, disa më paragjykojnë, por unë njeri jam.

Gazetarja: Ke vite që jeton në karrocë, si është historia e Anxhit?

Angelo: E shoh pak si problem karrocën. Por me kalimin e viteve u mësova dhe  e pranova. Kam thënë me veten se me njerëzit që sillen keq do sillem dhe unë keq, por nuk mundem pastaj se kështu më kanë mësuar mami dhe  babi.

Gazetarja: Ka pasur ndonjë moment që e veçon?

Angelo: I vogël ka pasur shumë kur jam mërzitur, por thash do vazhdoj do luftoj. Me terapi vazhdoj e mendoj do kaloj.

Ka qenë fare i vogël , kur muskujt e tij nuk iu përgjigjën dëshirës për të vrapuar. E në fakt jo vetëm Anxhi siç e thërrasin miqtë , por edhe motra e tij më e madhe ka të njëjtin problem shëndetësor me të. Gjithsesi ata janë forca dhe mbështetja për  njëri-tjetrin.

“Edhe motra ka të njëjtin problem si mua. Motra ka qenë më shumë për mua  mbështetëse. Unë e shoh veten një ditë të famshëm për faqe web-i, programues. Unë kam shumë miq dhe veçanërisht mësuesja kujdestare më ka mbështetur shumë ndaj dua ta falenderoj”, shtoi më tej ai.

Për t’iu rikthyer videos që bëri xhiron  e rrjetit mes shumë miqve të Angelos , portreti i ngrohtë dhe mbështetja veçanërisht i njërit prej miqve të të riut spikati. Rudi Xhelo tregon sesi u përfshi Anxhi në pistën e kërcimit dhe sesa i veçantë është ai për këdo që e njeh. Dy të rinjtë  janë miq të mirë dhe sot ata kalojnë shumë kohë bashkë, si ky moment që ne i gjetëm bashkë në kafe.

“Nisi nga një kërcim popullor. Kur nisi kërcimi modern pashë  Anxhin te cepi i tavolinës teksa kërcente vetëm. Pash që nisën shokët t’i afroheshin. Por unë duke njohur natyrën e Anxhit, kokëfortësinë e tij për çdo gjë e di që nuk do të vinte direkt në qendër të pistës. Ndaj e mora avash avash dhe me kalimin e kohës ai  u bë pjesë e kërcimit”, ka thënë miku i tij.

Gazetarja: Sa suportues ke qenë në këto vite shkollë me Anxhin?

“Mbaj  mend se në fillim për shkak të pandemisë ishte e vështirë të qëndronim shumë bashkë. Por në vitin e tretë dhe katërt po. Dëshirë kemi të qëndrojmë edhe përtej orarit mësimor, ndonëse kemi angazhimet tona, se Anxhit i duhet të ndjekë edhe seancat e fizioterapive. Por në shumicën e rasteve është ai që kërkon të kalojmë kohë bashkë. Unë e respektoj shumë atë  sepse është më shumë se shokë, është si vëlla. Ndaj miqësia jonë do të vijojë edhe përtej shkollës”, tha miku i tij në vazhdim të intervistës.

Gazetarja: Kaq human je në tërësi?

“E vërtetë nëse bëj diçka e bëj me zemër, nuk ka asnjë arsye tjetër”, shtoi ai.

Në përfundim të rrugëtimit të tyre katër vjeçar , dy djemtë do të marrin drejtimet e tyre në jetë. Në mbyllje të bisedës ata përcjellin mesazhin e tyre për shoqërinë në tërësi, veçanërisht për brezin e sotëm.

Rudi Xhelo: “Asnjë nuk e vendos vetë jetën e tij. Zoti ta fal jetën dhe ai ta merr. Ndaj ne duhet të pranojmë cdo person me aftësi ndryshe , apo pavarësisht racës apo etnisë. Një libër nuk duhet ta lexojmë nga jashtë, por nga brenda”.

Angelo Duhanxhiu: “Doja t’ju thosha njerëzve si unë të mos dorëzoheni kurrë se vetëm kështu një ditë do t’ia dilni. Në mos në një të ardhme të afërt në atë të largët po”.

Teksa shoqëria mes dy djemve na mbush me optimizëm dhe shpresë nuk mund të mos i kujtojmë qeverisë, instancave përkatëse të bëjnë më shumë për personat me nevoja të veçanta. Sot Anxhi ndodhet në udhëkryq për të ardhmen e tij, vetëm se institucionet tona arsimore nuk kanë infrastrukturën e duhur që këta persona të mos hasin vështirësi në marrjen pjesë në auditore. Por deri atëherë ne si shoqëri na takon të jemi suportues ndaj njerëzve si Anxhi.

Related posts

Mbi 20 persona përfundojnë në spital/ Ja çfarë ndodhi papritur në Bulqizë

E RËNDË! Po lahej në liqenin e Kukësit, humb jetën i moshuari

Luhaten monedhat e huaja/ Këmbimi valutor për ditën e sotme, 6 korrik 2024