Humbja e Tiranës nuk është përjetuar mirë te trajneri Erbim Fagu. Pas ndeshjes, tekniku i klubit bardheblu evidentoi lodhjen si një nga faktorët kryesorë që ndikoi në këtë disfatë.
NDESHJA-Në radhë të parë më vjen keq për humbjen sot, mendoj që kemi zhvilluar një ndeshje të mirë. Shpresoj shumë që në këto 3 ndeshje të japim këtë paraqitje për të arritur objektivin që kemi. Presioni në ndeshjet derbi është i pranishëm, u munduam ta menaxhonim këtë pjesë, mbas kartonit të kuq, na u prishën shumë ekuilibrat dhe ishim të pafat.
LODHJA FIZIKE-Patëm lodhje fizike, për shkak edhe të ndeshjes së Kupës, në momentet e golave, duhet të ishim më të përqëndruar, më në bllok, për fat të keq pësuam gol.
KARTONA E VERDHË-Kishim plan B, por u kushtëzuam shumë nga kartonët e verdhë që morëm dhe ndryshuam disa herë zëvendësimet që kishim për të bërë. Në çdo faull që ne shkaktonim merrnim karton të verdhë. Kjo na kushtëzoi në zëvendësimet, u munduam të hiqnim lojtarët me të verdhë, për të mos e pësuar.
FINAL FOUR- E mendojmë gjatë gjithë kohës, për të arritur në “Final 4” duhet të fitojmë 3 ndeshjet që na kanë mbetur, nuk ka rrugë tjetër. Unë kam shumë besim, në ndeshjet e fundit kemi luajtur shumë mirë, kemi krijuar raste, kemi qenë në stabilitet. Në 3 ndeshjet e fundit do të japim gjithçka për gjithçka, nuk kemi çfarë të humbim”, u shpreh Erbim Fagu.