Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi zhvilloi një takim me të rinjtë në Laprakë, e cila kërkoi angazhimin e plotë të tyre në këtë fushatë. Një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte ajo e largimit të të rinjve nga vendi gjatë këtyre 8 viteve.
“Në 8 vite, 180 mijë të rinj janë larguar, sepse e vetmja alternativa që u jepte Edi Rama ishte mungesa e arsimit, mungesa e punësimit. Praktikisht e braktisi rininë. Praktikisht ju la në baltë. Pjesën më të mirë të shoqërisë shqiptare e la në baltë. Ju largoi ju që të fusë trafikantin e drogës dhe të qenieve njerëzore, vrasësin, kriminelin. Çfarë ju dha juve të rinjve në këto 8 vite? A është ndonjëri prej jush i punësuar në këto 8 vite? Sigurisht që jo. Ju la pa punë, ju la rrugëve, që ju të ikni.”- tha Vokshi.
Sipas Vokshit, gjatë këtyre 8 viteve, vendi nuk ka bërë përpara në asnjë drejtim, as në ekonomi, arsim, shëndetësi, ndërsa vendet fqinje kanë përparuar.
“Nuk duhet të mbajmë këtë njeri edhe 4 vite të tjera, tani që ka filluar të riciklojë të njëjtat premtime si para 8 vitesh. Të rinjtë nuk do t’ia japin këtë mundësi këtij kryeministri mashtrues.” – theksoi Vokshi.
Vokshi u shpreh se këtij problemi duhet t’i jepet fund me zgjedhjen e një qeverije të përgjegjshme, që ka prioritet arsimimin dhe punësimin e të rinjve:
“Jam e sigurtë se jo vetëm ju që jeni këtu, por të gjithë të rinjtë nuk do t’i besojnë me as edhe një sekondë Edi Ramës si kryeministër. Në datën 25, me votën tuaj do të votoni një qeverisje që do të jetë e përgjegjshme. Do të votoni alternativën për rininë, që është alternativa e Partisë Demokratike, me kryeministër Lulzim Bashën, që ka vizionin dhe vullnetin për mbështetjen e rinisë”- tha Vokshi.