Ndryshimet kushtetuese, reagon Opozita e Bashkuar: Rrezikohet stabiliteti i vendit!

Pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për të mbeshtetur nismën e deputetëve të opozitës së re, Myslim Murrizit dhe 29 deputetëve për të ndryshuar Kushtetuten dhe për të vendosur listat e hapura në zgjedhjet e ardhshme, ka reaguar Opozita e Bashkuar.

Në një deklaratë të përbashkët për mediat, Opozita e bashkuar dënon ‘tentativën e Edi Ramës për prishjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore’, pasi sipas tyre vihet ne rrezik stabiliteti i vendit dhe dëmtohen shanset e Shqipërisë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Sipas Opozites ky veprim i kryeministrit per ndryshimet kushtetuese synon të nxisë konflikt politik në vend në prag të zgjedhjeve të ardhshme, që janë kyçe për demokracinë dhe ecurinë e Shqipërisë në rrugën e saj europiane.

Po ashtu në deklaratë thuhet se sot është njoftuar Presidenti dhe partnerët strategjikë “për këtë akt të paprecedentë, që acaron më tej klimën politike në vend dhe e fut Shqipërinë në një kurs zhvillimesh të paparashikueshme”.

Deklarata e plote:

Opozita e Bashkuar dënon me forcë tentativën e Edi Ramës për prishjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore. Ky akt i paprecedentë prish konsensusin e arritur me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE, vë në rrezik stabilitetin e vendit, si dhe dëmton seriozisht shanset e Shqipërisë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Ky veprim diabolik po kryhet vetëm për pushtetin personal të Edi Ramës dhe motivohet prej frikës së tij nga zgjedhjet. Ai dëmton rëndë interesat e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë braktisur dhe tradhëtuar nga kryeministri në ikje, duke i lënë të vetëm përballë krizës më të thellë të pandemisë dhe atë ekonomike që është pasojë direkte e dështimit dhe papërgjegjshmërisë së tij dhe qeverisë së tij.

Kurrë më parë nuk ka ndodhur që të ndryshohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe rregullat e lojës së një gare elektorale në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus mes palëve pjesëmarrëse në zgjedhje. Ky provokim i ulët dhe sjellje tipike prej autokrati që ka frikë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, synon të nxisë konflikt politik në vend në prag të zgjedhjeve të ardhshme, që janë kyçe për demokracinë dhe ecurinë e Shqipërisë në rrugën e saj europiane.

Opozita e Bashkuar ka informuar zyrtarisht gjatë ditës së sotme Presidentin e Republikës dhe partnerët tanë strategjikë për këtë akt të paprecedentë që acaron më tej klimën politike në vend dhe e fut Shqipërinë në një kurs zhvillimesh të paparashikueshme.

Opozita e Bashkuar ka qenë dhe mbetet plotësisht e angazhuar në përmbushjen e thirrjes së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi për kodifikimin pa ndryshime të marrëveshjes së 5 Qershorit, sa më shpejt në Parlament.

Related posts

Monedhat e huaja pësojnë rënie/ Këmbimi valutor për ditën e sotme, 4 korrik 2024

“5 milionë lekë, për ty 4! Emiljano: Shumë e ka!”/ Përgjimet në dosjen Onkologjikut! Ja pazari që bëhej për pacientët me kancer

Mblidhet kryesia e PD, ja data kur do të mbahet protesta kombëtare