Dita e sotme është e 13-ta e grevës së nafëtareve të Ballshit. Gjendja e tyre shëndetësore nuk është aspak e mirë e megjithatë, ende vijojnë të qëndrojnë në ambientet e brendshme të uzinës.
Disa prej tyre janë zëvendësuar nga koleget pasi ishin në gjendje të rënduar, si temperaturë, të vjella dhe rrahje të forta zemre.
‘“Zëri ynë nuk po dëgjohet. Nuk e dimë çfarë presin që të na japin një zgjidhje. Nuk dalim që këtu. Do të rrimë deri në vdekje. Fëmijët i kemi lënë në shtëpi na shikojnë vetëm nga televizori. Përditë po ndihemi më të dobëta. Nuk jemi gra për shoë, luftojmë për bukën e fëmijëve. Zoti kryeministër jepi zgjidhje këtyre grave. Vërtetë thotë është privat me privat por ai është rregullator. Të kthehet në qeveri humaniste për nënat.‘-shprehen gratë naftëtare.
Ndërkohë ditën e djeshme ato i dërguan një letër të hapur kryeministri Rama dhe ministreve të shëndetësisë, energjitikës dhe të financave për ti dhënë zgjdhje çështjes së tyre.
Naftëtarët e Ballshit kanë dalë në protestë prej muajsh, ku protestojnë për të marrë pagat e tyre të prapambetura dhe rifillimin e punës, por zëri i tyre nuk është dëgjuar dhe kështu morën aktin ekstrem. Fillmisht u futën në grevë burrat naftëtarë dhe më pas këta u zëvendësuan nga gratë, pasi u rëndua gjendja e tyre shëndetësore. Pak ditë më parë, kreu i sindikatës Sokol Dautaj së bashku me disa naftëtarë zhvilluan një takim me përfaqësuesit e uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh, por takimi nuk ka përfunduar me sukses. Sipas Dautajt në takim u dhanë vetëm premtime boshe. Ndërkohë kryeministri Edi Rama iu bën thirrje që të dalin nga greva dhe menjëherë ai do të shkojë tek ata për të biseduar. Kjo thirrje e kryeministrit nuk pranohet nga grevistët.