Ndarja nga jeta e Profesor Sabit Brokaj/ Luan Rama tregon telefonatën e fundit ku kishin vendosur të…

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama duke reaguar pas ndarjes nga jeta të profesorit Sabit Brokaj, zbulon edhe telefonatën e fundit e zhvilluar pak ditë më parë.

Sipas tij, kishin vendosur për të shkuar në Drashovicë, në përkujtim të 77-vjetorit të luftës heroike të partizanëve të Labërisë.

Reagimi i plotë:

Të ndrittë shpirti Profesor Sabit Brokaj! Me telefonoi pak ditë më parë dhe e lamë që të shkonim bashkë në Drashovicë, në përkujtim të 77-vjetorit të luftës heroike të partizanëve të Labërisë që nisi më 14 shtator të vitit 1943, si vazhdim dhe kurorëzim i lavdishëm i Luftës së Vlorës së 1920-ës.

E mandej, do të udhëtonin nëpër Lumin e Vlorës, nëpër lumin e historisë e të luftërave për liri, një nga temat më të preferuara të bisedave tona të shpeshta, sidomos sa herë që shkonin në ato anë.

Mirëpo, vdekja na e mori Profesor Sabit Brokajn, duke na lënë të trishtuar dhe me dhimbjen e madhe të humbjes së një shoku e të një miku të veçantë!

E rëndë, e thekshme dhe e pamatë është dhimbja për familjen, për të afërmit, për shokët dhe miqtë e shumtë, për kolegët, për studentët, për pacientët, për të gjithë ata që e kanë njohur…

Por, i ndjerë dhe i pandryshuar do të jetë nderimi, mirënjohja, dhe respekti për Sabit Brokajn, për qytetarin e angazhuar dhe intelektualin kurajoz, për mjekun fjalëmbël e gjithnjë të gatshëm për të shërbyer me devocion shembullor, për politikanin e një lloji të veçantë dhe njeriun e mençur e burrin e Labërisë.

Unë do të shkoj i dashur Sabit e do ta vë edhe për ty një buqetë me lule në monumentin e Drashovicës, në portën e Labërisë.

Do të shkoj edhe në Brataj, për të cilin më flisje gjithnjë me aq dashuri. Do të shkoj edhe në Vlorë, në referencën e krenarisë tënde.

E nuk do ta harroj kurrë këshillën e vyer që më ke dhënë: nderimi për ata që iu falën atdheut, është amanet!

U prehsh në paqe mik i shtrenjtë!

Related posts

Mbi 20 persona përfundojnë në spital/ Ja çfarë ndodhi papritur në Bulqizë

E RËNDË! Po lahej në liqenin e Kukësit, humb jetën i moshuari

Luhaten monedhat e huaja/ Këmbimi valutor për ditën e sotme, 6 korrik 2024