“Ndaj Dinamo City-t duhet më tepër ritëm e dëshirë”, Zekic nuk i zë besë krizës së kundërshtarit: Ndeshjen e fundit luajti mirë

Partizani përballet në kuadër të javës së 5-të me Dinamo City-n, por trajneri Zoran Zekiç nuk pranon ta quajë skuadrën e tij favorite ndaj një rivali që ka humbur 3 nga 4 ndeshjet e këtij fillimsezoni.

“Së pari, unë nuk e pranoj idenë se Dinamo është një kandidate për të rënë nga kategoria, sepse ata kanë humbur, po, por nuk kanë luajtur keq. Nëse këtu diskutohet motivimi i lojtarëve të mi, atëherë lodhemi kot, pasi motivimi nënkupton që, së pari, të kesh respekt për veten, pastaj për kundërshtarin dhe kjo nuk diskutohet. Mendoj gjithashtu se ne duhet të luajmë më mirë, me më tepër ritëm dhe kjo është ajo për të cilën duhet të mendojmë”.

Për këtë arsye, ai zgjedh të përqendrohet tek skuadra e tij dhe jo tek kundërshtari.

“Unë i ndjek të gjitha ndeshjet, sidomos tani që po luajmë çdo 3 ditë dhe çdo ndeshje e përgatitim taktikisht, por ajo për të cilën flasim është loja dhe paraqitja jonë. Natyrisht, unë nuk do të flas këtu për pikat e dobëta apo të forta të kundërshtarit, pra Dinamo, sepse këtë do ta bëj me lojtarët e mi në analizën për strategjinë e lojës të premten”.

Ndryshe nga kolegët e tij në skuadrat e tjera, kroati nuk e sheh problem ngjeshjen e kalendarit, përkundrazi.

“Nuk besoj se është e lodhshme. Për mua madje është gjëja më e mirë të luash futboll çdo 3 ditë, sepse ne përgatitemi përpara për një gjë të tillë. Do të kishte qenë edhe më mirë nëse do të vazhdonim të luanim në Evropë, kjo do të ishte e përsosur, por tani nuk më të ankohemi për këtë. Të premten luajmë ndaj Dinamos, të martën luajmë ndaj Tiranës dhe përqendrimi ynë duhet të jetë në nivele maksimale, duhet të tregojmë shpirt gare në nivelin më të lartë”.

Takimi Dinamo-Partizani luhet të premten, duke nisur nga ora 18:00.

Related posts

Davide Ziu, talenti shqiptar firmos kontratën si profesionist me Renaten: Ëndrra ime të përfaqësoj Kombëtaren (video)

Flamurtari kërkon ngjitjen në elitë, transferon ish-futbollistin e Dinamos (ZYRTARIZIMI)

Krijoi faturë fiktive për llogari të Ilir Beqajt, SPAK vendos masë sigurie për ish-drejtorin e Partizanit