MSH: Sot 3 viktima, 71 raste të reja me COVID, 45 të shëruar, 9 në gjendje të rëndë

Java e re ka nisur sërish me shifra të larta të të prekurve me COVID, por edhe pacientëve që kanë humbur jetën. Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën te Infektivi 3 pacientë, mjeku Hysni Shkjau nga Puka, një 63 vjeçar nga Lezha dhe një 65 vjeçare nga Tirana duke e çuar në 79 numrin e viktimave në total. “Mjeku luftonte prej disa ditësh me sëmundjen në spitalin infektiv. Dhe dy qytetarë, një 63 vjeçar nga Lezha dhe një 65 vjeçare nga Tirana, megjithë përpjekjet e mjekëve, nuk kanë mundur të mbijetojnë” thotë ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë që vijon që të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht janë 78 pacientë në spital, prej të cilëve 9 në gjendje serioze në terapinë intensive, 2 prej tyre të intubuar në gjendje të rëndë. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 459 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 71 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 24 raste në Tiranë, 8 në Elbasan, 6 në Durrës, nga 5 raste në Krujë, Kukës, Lezhë, 4 në Kurbin, 3 në Vlorë, nga 2 raste në Korçë, Shkodër, Përmet, dhe nga 1 rast në Delvinë, Vau Dejës, Bulqizë, Kamëz, Fier. Ministria e Shëndetësisë thekson se është vënë re një numër më i lartë i testimeve por përqindja e pozitivitetit është reflektuar me një nivel qëndrueshmërie pothuaj të njëjtë gjatë gjithë javës.  Në 24 orët e fundit janë shëruar 45 qytetarë, duke e çuar në 1702 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1183 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës. Ministria e Shëndetësisë deklaron se prezenca e rasteve me COVID19 është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me vetëndërgjegjësimin dhe zbatimin në mënyrë rigoroze të protokolleve higjieno sanitare të sigurisë. “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë institucioneve, subjekteve dhe gjithë popullatës të ndjekin rekomandimet  e autoriteteve shëndetësore duke respektuar distancimin fizik në 1.5 metër dhe nëse nuk respektohet distanca përdorimi i maskës është i detyrueshëm. Gjithashtu përdorni maskën në të gjitha ambientet e mbyllura, respektoni etiketen respiratore duke u kollitur dhe tështirë në këndin e brrylit.  Të gjitha këto masa duhen të kombinohen me higjienën personale dhe kolektive. Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga COVID19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19”.

COVID-19 – Statistika (6 Korrik 2020)
Testime totale                  29260
Raste pozitive                  2964
Raste të shëruara            1702
Raste Aktive                    1183
Humbje jete                     79 (Qarku Tiranë 44, Durrës 12, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 12, Kukës 1, Elbasan 2, Lezhë 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë                   453
Durrës                  213
Shkodër               168
Vlorë                     116
Lezhë                    64
Fier                        48
Korçë                    31
Kukës                    25
Elbasan                 24
Berat                     16
Gjirokastër            15
Dibër                     10

Related posts

“Jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër”/ Shokët e skuadrës së Dinamos surprizojnë Luisin në spital që u plagos nga vrasja e Martin Canajt

Jepet masa e sigurisë për 14-vjeçarin që vr@u Martin Canin! Ja çfarë vendosi Gjykata

Rriten lehtë monedhat e huaja/ Kursi i këmbimit për ditën e sotme, 22 nëntor 2024