Që të vegjël jemi grindur për lodrat me motrat apo vëllezërit, apo për shkaqe nga më të paarsyeshmet, kjo nuk ka asnjë diskutim që u ka ndodhur të gjithëve. Por që grindjet dhe rrahjet mes motrës dhe vëllait të vazhdojnë edhe në moshë madhore apo për shkaqe banale, këtë e tregon shembulli i një çështjeje të referuar në policinë e Tiranës që e nxehur i dha drejtim duke ngritur akuzë për të dy, pasi kanë rrahur njëri tjetrin.
Provat që ata paraqitën në drejtorinë vendore ku vërtetohej se ishin mjekuar mbas grindjes u përdorën nga policia ndaj të dyve që tanimë janë nën akuzë për dhunë në familje.
“Zakonisht në moshë madhore motrat me vëllezërit, apo vëllezërit me vëllezërit rrihen dhe konfiktohen për pasuritë, por ky është rast specifik i një marrëdhënie të ashpër të dy të rriturve që zihen në prani të prindërve dhe nën të njëjtën çati ku rrinë,” deklaroi oficeri i rendit.
Ngjarja ndodhi pasi asnjëri nga ata të dy nuk e duron tjetrin dhe siç dyshohet vetëm sepse motra nuk i bindej urdhrave të vëllait më të madh, i cili jo vetëm kërkonte pastërti dhe bindje, por pretendonte se ishte aq i informuar saqë kishte dijeni se enët nuk duhet të mbahen të lagura.
Marrëdhëniet me të motrën që gjithashtu rezulton të ketë reaguar disa herë dhe ta ketë qëlluar vëllain e madh, janë përkeqësuar mbasi gruaja u kthye në shtëpi në mbyllje të një martese të dështuar.
Hetimi lë të kuptohet se ajo nuk i gjeti dyert hapur dhe veçanërisht u prit keq nga i vëllai, i cili me kërkesa të vazhdueshme synonte mërzitjen e motrës, që nga ana e saj njëherazi i kishte vënë qëllim vetes që t’ja vështirësonte jetën të vëllait.
Por çdo gjë u bë e padurueshme për D.D, kur ajo u sulmua me kapakun e bidesë nga i vëllai, i cili e shkuli nga banja dhe as që u frenua dhe as i erdhi keq për të motrën.
Nga ana tjetër edhe motra sipas burimeve të policisë ka qenë me herët e hetuar për dhunë në familje dhe sakaq të dy motër e vëlla kishin nga një urdhër mbrojtjeje, që i detyronte ata të qëndrojnë sa më larg.
Por banesa e prindërve të tyre nuk është aq e madhe sa të shmangë grindjet dhe sherret.
A.D është vëllai i gruas kallëzuese dhe së fundmi ai u denoncua për dhunë përmes telefonatës nga e motra “po laja enët mbi lavatriçe dhe shtyva bidenë e tualetit.
Në atë çast erdhi vëllai e shkuli kapakun e bidesë dhe më goditi” dëshmon pranë policisë së Tiranës gruaja e re. Mbas këtij sulmi ajo pretendon se e njoftoi të vëllain se duhet t’i qëndronte sa më larg, mbasi kishte urdhër mbrojtjeje prej tij.
“Në largim e sipër tha se do ta njoftonte ai policinë dhe u fut në dhomë. Prita policinë rreth 40 minuta por nuk erdhën dhe e kuptova që nuk e kishte njoftuar.
Atëherë telefonova dhe kur mbërritën forcat që më mjekuan dorën shkova në komisariat për të kallzuar veprimet e tim vëllai”,- tha ajo.
“Vëllai i madh tregoi se prej kohësh i shmangej të motrës”, tha një zyrtar i policisë.
“Ne kemi një ambient të përbashkët dhe ajo është banja. Shkova për ta pastruar ditën e ngjarjes mbasi motra ka probleme të mëdha me higjienën dhe nuk e pastron ndonjëherë. Në këtë moment e pashë duke larë enët mbi lavatriçe dhe i thashë të mos i vendoste të lagura mbasi ndryshket lavatriçja. Motra shkuli kapakun e bidesë dhe më goditi në kokë duke më sjellë dëmtime,” thotë vëllai i madh e shpjegon se si dëshmitarë të tij ishin fëmijët e të motrës.
Policia deklaron se duke vlerësuar ekspertizën e të dyve dhe rezultatet ju japin të drejtë të dyve. Motër e vëlla kanë rrahur njëri-tjetrin ndaj për të dy u ngrit akuza e dhunës në familje. Këtë përfundim e konfirmon mjekësia ligjore që gjeti dëmtime në trupin e të dyve.
Ekspertiza shkruan se shtetasi “A. D ka gërvishtje në ballë me ngjyrë të kuqërremtë dhe të dhimbshme që japin paaftësi të përkohshme në punë deri në 9 ditë”. Ndërkohë edhe gruaja ka paraqitur një raport mjekësor ku ajo ka marrë ndihmë nga spitali për goditjet me sende të forta.
Burimi: GazetaSi