Mirlind Daku është kthyer të shënojë rregullisht dhe ka tundur rrjetën për ndeshjen e dytë radhazi me fanellën e Rubin Kazan. Sulmuesi shqiptar është treguar përsëri i pagabueshëm para portieri në ndeshjen që skuadra e tij luante ndaj Khimki në transfertë.
Edhe pse vendasit shënuan që në minutat e parë të sfidës, Daku vendosi shpejt baraspeshën, kur në minutën e 12 të ndeshjes, mori një pasim nga e majta duke shmangur pozicionin jashtë loje dhe i vetëm para portierin nuk gaboi duke mposhtur këtë të fundit me një top të çuar në shtyllën e largët.
Daku kishte mundësinë të kalonte ekipin e tij në avantazh dhe përmirësonte bilancin sezonal me një penallti në minutat e fundit të pjesës së parë. Por sulmuesi gaboi nga pika e bardhë, pasi portieri gjeti krahun e goditjes së tij duke e bllokuar.
Megjithatë, në minutën e 58′ Mirlind Daku ia doli të tundte përsëri rrjetën, këtë herë me një gjuajtje nga e djathta që nuk i la mundësi reagimi portierit.
Këta ishin golat e 13 dhe 14 të Dakut në këtë sezon në Premier Ligën ruse, ku aktualisht është golashënuesi i dytë më i mirë. Vetëm Manfred Ugalde i Spartak Moskës me 16 gola ka shënuar më shumë se sa sulmuesi i Kombëtares shqiptare, i cili ka dhënë edhe 6 asiste.
Spartaku i Moskës dhe Zenit St Petersburg kanë pasur mundësinë të blejnë sulmuesin e Rubinit, Mirlind Daku. Në të dyja rastet klubet kanë vendosur të refuzojnë blerjen e lojtarit.
Si kryeqytetasit ashtu edhe klubi i Zenit e konsideruan një transferim të tillë kundër ideologjive dhe politikisht. Kujtojmë që Rusia nuk ka njohur Kosovën si shtet të pavarur.