Komisioneri Shtetëror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi doli në një konferencë për shtyp, një ditë pas caktimit përfundimtar të fletës së votimit që do të përdoret për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Celibashi kërkoi nga subjektet politike dhe aktorët e tjerë që të angazhohen që zgjedhjet të jenë të lira të ndershme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Tashmë që procesi i diskutimit dhe vendimmarrjes për fletën e votimit ka përfunduar dhe ne kemi versionin përfundimtar të fletës, sjell në vëmendje të partive dhe kandidatëve dhe institucioneve detyrimin e të gjithë këtyre aktorëve që të angazhohen në një proces në përcaktimet e Kodit dhe legjislacionit që procesi të jetë me standardet më të mira ndërkombëtare. Legjitimiteti i rezultatit varet sesi secili nga këta faktorët do të ketë qasjen e tij në mbarëvajtjen e procesit. Jemi të monitoruar. Në fund të ditës për këdo nga ne do të ketë një gjykim. Partitë të angazhohen në një fushatë të qetë dhe të ndershme që votuesit të vendosin lirshëm për preferencat e tyre”, u shpreh Celibashi.