Milani i pandalshëm! Nënshtron Fiorentinën dhe rrit diferencën në krye të tabelës

Tri pikë të reja për Milanin në Serie A që në San Siro ka triumfuar përballë Fiorentinas (2-0), në ndeshjen e vlefshme për xhiron e nëntë në kampionatin italian.

Edhe kjo sfidë nisi me një minutë heshtje për ta nderuar jetën dhe veprën e legjendës argjentinase të futbollit, Diego Maradona.

Alessio Romagnoli reagoi më së miri në zonë për të shënuar me kokë, pas një harkimi nga këndi të Rossonerëve (17’).

Rezultatin e dyfishoi Franck Kessie me golin e dytë të shënuar nga penalltia (27’). Kessie e pati mundësinë ta shënonte edhe golin e tretë, mirëpo portieri Bartlomiej Dragowski e mbrojti njëmbëdhjetëmetërshin e dytë në minutat e fundit të pjesës së parë.

Në fraksionin e dytë nuk u shënuan gola, ashtu që kuqezinjtë regjistruan fitore komode dhe tri pikë shumë të rëndësishme.

Milani numëron 23 pikë në krye të tabelës, pesë më shumë se Interi dhe Sassuolo që e ndjeklin në pozitat dy dhe tre. Fiorentina mbetet në vend të 16-të me vetëm tetë pikë të arkëtuar pas nëntë xhirosh.

Burimi: Telegrafi

Related posts

Nuk kanë fund telashet për Tiranën, gjobë nga Komisioni i Disiplinës dhe detyron të paguajë pagat e ish-lojtarit

Stërvitje surprizë te Partizani, sulmuesi i Kombëtares në pritje të një thirrjeje nga Silvinjo! (FOTO)

“Nuk më frikëson as Dinamo asnjë prej skuadrave të tjera”/ Vioresin Sinani “nxjerr muskujt” në media: Kemi cilësi për të pretenduar çdo trofe