Klubi i Metalist 1925 në vitin e fundit ka bërë afrime të njëpasnjëshme nga futbolli shqiptar, që e kanë ndihmuar të bëhet shumë shpejt një pretendent edhe në elitën e futbollit ukrainas. Ermir Rashica, Christian Mba, Peter Itodo dhe Baton Zabërgja janë katër futbollistë të cilët në muajt e fundit kanë kaluar nga futbolli shqiptar, në radhët e këtij klubi. Por ai po bëhet gati t’i hapë dyert edhe një tjetër talenti shqiptar.
Sipas asaj që mësohet, tani klubi ukrainas Metalist ka piketuar mesfushorin e talentuar të Teutës, Ergis Arifi. Ky i fundit ka arritur të gjejë vazhdimisht hapësira në ekipin e parë që në moshë të re dhe shihet si një nga talentet më premtues të futbollit tonë.Ukrainasit janë të gatshëm t’i ofrojnë atij që tani një mundësi të provojë veten në një kampionat më të fortë, ndërsa mbetet të mësohet se si do të veprojë Teuta me lojtarin. Ai në të kaluarën ka refuzuar oferta të rëndësishme edhe nga klube italiane që e kërkonin për akademitë e tyre, pasi dëshironte të luante me profesionistët.