Para një muaji ekipi i arkeologëve të cilët kishin hulumtuar rreth Linit në Pogradec prej 4 vitesh, e konfirmuan atë zyrtarisht si vendbanimin më të vjetër të gjetur deri më sot në Europë.
Bëhet fjalë për të dhëna që datojnë më shumë se 8500 vite më parë ose e thënë ndryshe, më larg në kohë se sa 6 mijë vite para lindjes së Krishtit.
“Shkencëtarët kanë gjetur ndoshta një nga komunitetet më të hershme të ulur në Evropë të strehuar pas një fortese me thumba mbrojtëse nën një nga liqenet më të vjetër në botë,” shkruan në një artikull USA Today.
Mes 200 dhe 500 njerëz besohej se jetonin në vendbanimin e zbuluar rishtazi me shtëpi të ndërtuara mbi shtylla përgjatë vijës bregdetare të Shqipërisë.
Arkeologu nga Zvicra, Albert Hafner thotë se kemi të bëjmë me një vendbanim që zhvillonte bujqësinë 8-9 mijë vjet më parë, të cilët më pas janë përhapur në Itali dhe gjithë Europën.
“Kemi që në 2021 që gërmojmë dhe ndjekim gjurmët që na çojnë deri në 5800 vite para Krishtit. Po gërmojmë për drunjtë e ujit më të vjetër në Europë. Në Zvicër kemi gjetur 6000 vite të vjetër ndërsa këtu kemi gjetur deri në 8000 vite të vjetër. Banorët këtu kanë qenë fermerë. Nga gjetjet, mund të themi që është palafiti më i vjetër në Europë,” tha Hafner.
Zbulimi nën liqenin e Ohrit në fshatin Lin, Shqipëri, konfirmon se vendbanimet në breg të liqenit të rajonit i cili shtrihet në kufirin malor të Maqedonisë së Veriut janë shumë më të vjetra sesa pritej nga arkeologët, tha Albert Hafner, profesor i arkeologjisë nga Universiteti i Zvicrës, Bern.
Arkeologu shqiptar Adrian Anastasi tha për AFP se “ndërtimi i fshatit të tyre mbi shtylla ishte një detyrë komplekse, shumë e ndërlikuar, shumë e vështirë dhe është e rëndësishme të kuptojmë pse këta njerëz e bënë këtë zgjedhje”.
Sipas arkeologëve, do të duhen edhe dy dekada që vendbanimi të eksplorohet dhe studiohet plotësisht dhe të nxirren përfundimet përfundimtare.