Më shumë raste, por më pak pacientë në spital! Agresiviteti i virusit ka mbetur njësoj/ Vetëm 1% e të infektuarve aktivë janë…

COVID-19 nuk është bërë më pak agresiv. Të paktën nuk ka asnjë të dhënë të tillë, të konfirmuar përmes studimeve në botë.

Agresiviteti i virusit ka mbetur njësoj, çka do të thotë se deri në 5 për qind e të infektuarve me patjetër shfaqin nevojën për kujdes të specializuar. Por për çudi, në vendin tonë situata në spitalet COVID ka mbetur me të njëjtin sfond prej javësh. Aktualisht, nga më shumë se 27 mijë të infektuar aktivë, vetëm 1 për qind e tyre janë duke marrë trajtim spitalor.

“Në 4 spitalet COVID po trajtohen 286 pacientë, 18 në terapi intensive, nga të cilët 3 pacientë janë të intubuar”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.

Prej më shumë se një muaji, pavarësisht shtimit të rasteve pozitive, në spitalet COVID shtrimet kanë qenë të pakta. Është një fakt tashmë që shumica e pacientëve që mund të jenë në kushte për t’iu drejtuar spitalit zgjedhin të ndiqen në kushte shtëpie, siç është fakt që vetëm përgjatë vitit që lamë pas janë 6 mijë humbje jete më shumë në raport me vitin 2019. Në këto kushte, shifrat në rënie të shtrimeve spitalore nuk duhen konsideruar të qëndrueshme, sa kohë që bilanci me humbjet e jetës dëshmon të kundërtën. Vetëm në 24 orët e kaluara janë raportuar 5 humbje si pasojë e koronavirusit.

“Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 5 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19 në spitalet COVID. 2 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Korça, 1 qytetare nga Mati, 1 qytetar nga Kruja, të moshave 26- 70 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerëve”

RASTET E REJA

Fundjava ka sjellë shtim të rasteve pozitive. Të dielën janë raportuar 833 persona të prekur nga më shumë se 3500 testime të kryera. “Janë kryer 3511 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 833 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 349 raste në Tiranë, 42 në Elbasan, 34 në Durrës, 30 në Shkodër, 26 në Kavajë, nga 25 raste në Kurbin, Vlorë, 23 në Krujë, nga 20 raste në Lushnje, Berat, 17 në Lezhë, nga 15 raste në Kamëz, Kuçovë, 14 në Korçë, nga 12 raste në Fier, Kukës, Gramsh, 9 në Ura Vajgurore, nga 8 raste në Mirditë, Sarandë, nga 7 raste në Mallakastër, Mat, Tepelenë, nga 6 raste në Malësi e Madhe, Patos, nga 5 raste në Tropojë, Delvinë, Bulqizë, Kolonjë, nga 4 raste në Has, Rrogozhinë, Gjirokastër, Belsh, Dibër, Peqin, Memaliaj, Shijak, Vorë, nga 3 raste në Pogradec, Divjakë, Selenicë, Cërrik, Poliçan, nga 2 raste në Pukë, Librazhd, Roskovec, Dropull, Këlcyrë, nga 1 rast në Përrenjas, Himarë, Skrapar”, thuhet në njoftim.

VAKSINIMI

Prej 11 janarit ka nisur vaksinimi kundër COVID19, por deri më tani janë kryer më pak se 700 doza dhe nuk ka ende asnjë informacion se kur do të mbërrijnë sasitë tjera të vaksinës. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një reagimi në “Twitter”, bën me dije se pas marrëveshjes së COVAX me kompaninë “Pfizer/BioNTech”, Shqipëria është në dritaren e parë të sigurimit të dozave të vaksinës, pasi ka parapaguar 3.9 milionë dollarë. “Lajm i mirë. Me parapagimin e 3.9 milionë dollarëve nga qeveria, Shqipëria është në dritaren e parë të sigurimit të dozave të vaksinës anti-COVID nëpërmjet mekanizmit COVAX”, nënvizon Manasirliu. COVAX ka nënshkruar një marrëveshje me “Pfizer/BioNTech” për deri në 40 milionë doza të vaksinës së saj ndaj COVID-19.

Burimi: Panorama.al

Related posts

Mbi 20 persona përfundojnë në spital/ Ja çfarë ndodhi papritur në Bulqizë

E RËNDË! Po lahej në liqenin e Kukësit, humb jetën i moshuari

Luhaten monedhat e huaja/ Këmbimi valutor për ditën e sotme, 6 korrik 2024