“Më ka vdekur djali”/ Portieri i Tomorit sajon fatkeqësinë për të negociuar me skuadrat e tjera shqiptare

Tomori ka vendosur të largojë nga skuadra portierin 21-vjeçar nga Gana, Clement Boye, pas mungesës së pajustifikueshme në seancat stërvitore. Por, për të shkuar deri te ky vendim, historia me Boye-n është tronditëse dhe këtë e ka treguar trajneri i Tomorit, Klodian Arbëri. Portieri është vënë në qendër të një skandali, duke sajuar një fatkeqësi familjare.

“Kam qenë në merak për vonesën e portierit, pasi e kisha të nevojshme prezencën e portierit titullar që ditën e parë të nisjes së përgatitje. Mirëpo, kur e telefonova, e pyes përse po vonohej kaq shumë për të ardhur në Berat dhe për t’iu bashkuar ekipit. Nga ana tjetër, Boye m’u përgjigj duke qarë: ‘Më ka ndodhur një fatkeqësi familjare. Më ka vdekur djali dhe për këtë arsye do të vonohem disa ditë’.

Ngriva dhe i përlotur e ngushëllova. Mirëpo, nuk e besoja që portieri im aktronte më mirë se një aktor profesionist. Vetëm 24 orë më pas, një miku im më telefonon dhe më thotë, se Boye ishte duke negociuar me ekipe të tjera në Shqipëri.

Me të drejtë u ndjeva shumë keq, pasi e kemi respektuar maksimalisht dhe nuk dua që futbollistët të sillen si palaço cirku apo aktor filmash. Futbollistë të tillë nuk kanë vend në skuadrën time. Në rast se Boye do të kërkojë të rikthehet te Tomori, duhet të dalë para skuadrës dhe të kërkojë ndjesë publike për këtë histori që sajoi”, ka rrëfyer numri një i pankinës beratase.

Related posts

Davide Ziu, talenti shqiptar firmos kontratën si profesionist me Renaten: Ëndrra ime të përfaqësoj Kombëtaren (video)

Flamurtari kërkon ngjitjen në elitë, transferon ish-futbollistin e Dinamos (ZYRTARIZIMI)

Krijoi faturë fiktive për llogari të Ilir Beqajt, SPAK vendos masë sigurie për ish-drejtorin e Partizanit