U hodh këtë të premte shorti për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2024-2025. Katër skuadrat që kanë siguruar një vend në këtë fazë janë Partizani, Vllaznia, Egnatia dhe Dinamo City.
Në shortin e hedhur në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” ishte i pranishëm Drejtori i Departamentit të Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, si edhe përfaqësuesit e klubeve dhe përfaqësues të mediave.
Në goglat e hedhura e marra nga përfaqësuesi Marjus Sulejmani, shorti përcaktoi dy çiftet gjysmëfinaliste: Vllaznia – Dinamo City , përballje ku nuk ka favoritë me dy skuadrat që kërkojnë ti shkojnë deri në fund këtij kompeticioni dhe Egnatia – Partizani. Klubi rrogozhinas padyshim që e ka ambicje fitimin e Kupës për të përsëritur sukseset e sezonit të kaluar.
Ndeshjet e kësaj faze, ku do të përcaktohen edhe finalistët e këtij edicioni janë planifikuar të luhen në datat 2 prill dhe 23 prill, ndërkohë që finalja e madhe do të luhet më datën 1 maj.
Çiftet e fazës gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë:
Vllaznia- Dinamo City (2 prill)/ Dinamo City – Vllaznia (23 prill)
Egnatia – Partizani (2 prill )/ Partizani – Egnatia (23 prill)