Hysen Dedja analizon skuadrën e Lushnjes. Ekipi lagunar nuk po kalon një moment të mirë në kampionat. Askush nuk e kishte menduar që skuadra do të gjendej në këtë pozicion. Skuadra verdhejeshile është në garë me katër ekipe për vendet e 7-ta dhe të 8-ta, që sigurojnë mbijetesën në Kategorinë e Parë pa pasur nevojën e ndeshjes shtesë në fund të sezonit.
Por duhet reflektim, pasi edhe më e keqja nuk është larg, pasi kanë vetëm katër pikë më shumë se Luzi i vendit të 11-të. Kur kanë mbetur edhe katër javë, myzeqarët do të luajnë ndeshje të drejtpërdrejta me rivalët e tyre, në shtëpi me Besën dhe Kastriotin, si dhe në transfertë me Burrelin. Më pas, kampionati i Lushnjës do të mbyllet me transfertën me Tomorin, që ka dalë edhe matematikisht nga Kategoria e Parë. Këtë të diel lushnjarët presin Besën në stadiumin “Roza Haxhiu”.
Hysen Dedja, i cili ka drejtuar Lushnjën në tri periudha të ndryshme tha se ekipi lagunar është skuadra më e mirë dhe verdhejeshilët nuk duhet ta diskutojnë qëndrimin në këtë kategori.
FJALËT E HYSEN DEDJA-s
LUSHNJA-Më vjen jashtëzakonisht keq që futbolli i qytetit të Lushnjës ndodhet prej disa vitesh në këto situata. Lushnja ka sportdashësit më të mirë në Shqipëri dhe që kërkojnë të kenë skuadër dinjitoze.
BASHKIA-Varësia nga bashkia nuk ka dhënë rezultat as te Lushnja, as te qytetet e tjera, por të ardhurat e akorduara janë normale për Kategorinë e Parë. Në përgjithësi, kur skuadrat drejtohen nga bashkitë shpërndahet përgjegjësia. Lushnja duhet të ketë president.
SEZONI-Lushnja nuk duhet ta diskutojë qëndrimin në këtë kategori, pasi ka skuadër më të mirë nga Kastrioti, Burreli dhe Besa. Jam i sigurt se do të jetë Lushnja ajo që do të shpëtojë. Pasi të ndodhë kjo, duhet të bëjë një analizë të gjatë, sepse është hera e dytë që shpëton me vështirësi. Duhet një analizë për të nxjerrë mësime.
INFRASTRUKTURA-Me këto terrene dhe fushën që ka Lushnja, infrastrukturë e përmirësuar ndjeshëm, skuadra duhet të pretendojë për më lart. Nuk e meriton ai sportdashës që të jetë në këtë kategori. Nuk i takon Lushnjës të jetë aty dhe të vuajë kaq shumë për të qëndruar”, deklaroi ish-trajneri i Lushnjës, Hysen Dedja.