Lulzim Basha u zgjua sot nga gjumi e mori përsipër të flasi për Ukrainën. Por teksa situata e tensionuar ka mbi 3 javë që ka shqetësuar botën, e sot u trondit me sulmet e Rusisë mbi Ukrainën, Lulzim Basha u kujtua të flasë vetëm pasi sulmet ndodhën.
Për tre javë, situata në Ukrainë është përcjell me shqetësim jo vetëm nga liderët botërorë, por edhe nga politikanët shqiptarë.
I pari ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha, që 2 javë më parë në parlament kërkoi miratimin e një rezolute për të mbështetur Ukrainën. E kjo kërkesë u përsërit në çdo dalje të tij mediatike, duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare dhe Kuvendit për të mbajtur një qëndrim të prerë në mbështetje të Ukrainës. Ndërkohë më pas kanë reaguar edhe presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama, duke dënuar sjelljen e Moskës, e shprehur përkrahjen ndaj popullit Ukrainas.
Por sot, pasi shkoi me afro 1 orë vonesë në seancë, Basha kërkoi fjalën e ripërsëriti kërkesën e Berishës, duke kërkuar miratimin e një rezolute nga Kuvendi. Por kjo vonesë e z. Basha i është vënë në dukje edhe nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila i solli në vëmendje që kishte ardhur me vonesë në seancë, e kjo kërkesë e tij tashmë ishte shqyrtuar që në fillim të punimeve, me kërkesë të deputetit Tritan Shehu, që i solli në vëmendje Kuvendit kërkesën e mëhershme të ish-kryeministrit Berisha për miratimin e Rezolutës.
Por sërish Basha justifikoi vonesën e tij, duke deklaruar se edhe pse nuk ishte i pranishëm në seancë ndjek me vëmendje zhvillimet në Ukrainë.