Ilir Daja trajneri i Dinamos ka theksuar se barazimi i sotëm me Partizanin mund të cllësohej gjithsesi pozitiv, ndonëse u pësua gol në fund.
NDESHJA-“Sigurisht që të vraposh gjatë gjithë ndeshjes, do vijë një moment edhe do dorëzohesh, se djemtë dhanë maksimumin. Ishte lojë e bukur për t’u parë, se derbi dha emocione, ishte një ambient i mirë me tifozë. Po ta kapësh në kompleksitet, ishte derbi emocional e i mirë për tifozët. Por të pësosh në fund nuk të vjen mirë, në ato raste duhej të ishim treguar më pragmatistë, se me rastet që kishim duhej vënë rezultati përpara. Por janë pjesë e lojës, ishim përballë Partizanit me pretendime maksimale. Ne kishim probleme me mungesat, por në fund fare nuk kam çfarë i kërkoj djemve, po pritnim të dilte topi jashtë të bënim zëvendësimet për të shtyrë sekondat në shtesë.
STRATEGJIA-Nuk ndryshuam strategji, ishte rënia e 2-3 lojtarëve nga gjendja fizike. Dihet se Bregu është i rëndësishëm por nuk është në maksimum, edhe pse sot ka dhënë më tepër se mundej. Na ranë si rrallëherë Zabërgja e Qefalija që në pjesës e parë bënë distancat më të mëdha të markimit, për të mbyllur problemet në mesfushë nga mungesa e Tolit dhe Karamba. Ndoshta që në ato minuta të fundit, ku edhe Partizani kishte shenja lodhje, mund të ishim pak më të qetë në zotërimin e topit apo krosime nga fundorja ku disa herë Meksi apo Nani kishin mundësi të rrezikonin. Por i mëshoj faktit që duhej të kishim administruar më mirë topin, duke luajtur në gjerësi se Partizani nuk kishte më energji, ashtu si ne.
GOLI I PËSUAR-Në fund morëm atë gol, por është pjesë e lojës dhe duhet të pranojmë që loja është deri në 95 minuta. Ndoshta me dy forca më të reja mund të kishim pak më shumë energji, por me atë që u prodhua, nuk jemi të mërzitur, pasi kemi marrë një gol në minutat e fundit. Çdo ndeshje ka emocionet e veta, por sigurisht ndeshja e parë ka një të veçantë që nuk harrohet, ndërsa të tjerat i kap rutina. Ajo e ndeshjes së parë është emocion më i fortë”, tha Ilir Daja për RTSH pas ndeshjes.