Librazhd/ Mjeku totalisht i dehur në orarin e punës, vlerëson personat që përfitojnë kemp; nuk shqipton dot as fjalët (video)

Fiks Fare trajtoi mbrëmjen e së mërkurës rastin e një mjeku i cili në orarin e punës është në gjendje të dehur. Rasti ka ndodhur në Librazhd dhe mjeku i familjes Balluk Troka në orarin e punës është i dehur. Mjeku gjithashtu është pjesë e KMCAP Librazhd, ku merret me komisionimin e personave të paaftë për punë e invalidëve.

Gazetarët e Fiksit, të interesuar për një rast të cilit i është hequr kempi, e gjejnë mjekun në krye të detyrës në orën 14:00 të dehur, aq sa nuk arrin dot as të flasë e t’i shqiptojë fjalët siç duhet. Kjo duket qartë në intervistën që Fiksi pati me mjekun ku ai nuk kuptohet apo përgjysmon fjalët gjatë bisedës.

Në Fiks Fare u ankua Anxhela Kurti, nënë e 4 fëmijëve. Ajo tregoi gjendjen e keqe ekonomike në të cilën jeton familja e saj. I shoqi, Taulant Kurti, vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe prej një viti i është hequr kempi. Familja e saj që së shpejti pritet të shtohet edhe me fëmijën e 5-të, jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike me një shumë prej 10 mijë lekësh.

Takimi në zyrën e mjekut, i dehur në orar të punës

Fiksi u interesua edhe pranë KMCAP Librazhd për të mësuar se pse i është hequr kempi denoncuesit. Sapo hyjnë në zyrën e mjekut Balluk Troka pjesë e komisionit të KMCAP Librazhd ndjejnë erën e alkoolit. Gazetarja duke parë gjendjen e dehur të mjekut e pyet disa herë nëse është në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve, por mjeku sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ndërkohë që pamja, sjellja dhe e folura e tij e tradhtojnë.

Është ora 14:00 dhe mjeku i komisionimit në zyrën shtetërore kundërmon era alkool.

Rasti i Taulantit nuk i kujtohet fare, e kërkon emrin në regjistrat e tij por që nuk është i aftë të gjej gjë. Madje gjatë bisedës ai përgjysmon fjalët duke i thënë recetës-precetë dhe punonjëses sociale dëgjohet vetëm një ‘ssss’.

Në këto kushte ai thërret sekretaren për të shpjeguar gazetarët e Fiksit. Sekretarja shpjegon rastin dhe tregon se aktualisht dosja e Taulantit është në Kempin Epror dhe se nuk ka një përgjigje. Përsa i përket pyetjes së Fiksit se në lidhje me komisionet që do të vijojnë në vazhdim a është në gjendje që mjeku Troka të bëjë vlerësimin e tyre në gjendje të dehur, sekretarja ul kokën dhe del nga zyra.

E njëjta pyetje i drejtohet dhe vetë mjekut Troka, por që ai s’e pranon që është i dehur. Ai pohon se është duke punuar dhe se po plotësonte një ‘precetë’ (recetë). Pyetjes se a është i aftë të vlerësojë një individë nëse duhet ta përfitojë apo jo kempin kur është në gjendje të pirë, mjeku Troka përgjigjet se asnjëherë nuk ka qenë i pirë dhe se është i aftë “100%”. Por pamjet dhe çdo gjë tjetër janë prova që tregojnë të kundërtën, që mjeku është i dehur në orarin zyrtar të punës.

Related posts

Monedhat e huaja thellojnë rënien/ Kursi i këmbimit për ditën e sotme, 27 shtator 2024

Luhatje të papërfillshme në monedhat e huaja/ Kursi i këmbimit, 22 gusht 2024

Monedhat e huaja në rënie/ Kursi i këmbimit për sot, 24 korrik 2024