Dinamo gjeti rrugën e fitores pas një muaji pa sukses, duke mposhtur pastër Laçin me rezultatin 2-0 në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena” për javën e 26-të të Superiores. Me këtë rezultat, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja siguron një pozicion të fortë në katërshen e kreut dhe parakalon provizorisht Vllazninë në renditje. Takimi nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Dinamon, e cila kaloi në avantazh që në minutën e dytë me një supergol nga Dejvi Bregu.
Sulmuesi realizoi një goditje të bukur nga distanca, duke i dhënë skuadrës së tij epërsinë e hershme dhe duke i komplikuar ndjeshëm situatën Laçit. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të kryeqytetasve, ndërsa në fraksionin e dytë miqtë nga Kurbini u përpoqën të reagonin, duke rritur presionin në kërkim të barazimit. Megjithatë, në momentin më të mirë të tyre, Dinamo fitoi një penallti të diskutueshme, e cila u ekzekutua saktë nga Bregu, duke vulosur rezultatin 2-0 dhe fitoren e rëndësishme për blutë.
LAÇI SHPËRTHEN NDAJ ARBITRIT
Te Laçi kanë shpërthyer pas humbjes 2-0 ndaj Dinamos, duke shënjestruar në mënyrë të drejtpërdrejtë gjykimin. Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në “Instagram”, kurbinasit kanë shpallur non grata edhe arbitrin Ermis Çelaj, pas Andi Koçit, Enea Jorgjit dhe shefit të sektorit të arbitrimit Sokol Jareci. Sipas drejtuesve të Laçit, këta persona gjejnë guximin të tallen me fanellën bardhezi.
POSTIMI I PLOTË I LAÇIT:
Pas Andi Koçit dhe Enea Jorgjit, Sokol Jareci ia lë radhën Ermis Çelajt për të bërë çudinë e radhës në dëm të ekipit të Laçit. Rastet ku arbitrat bëhen protagonistë për keq në ndeshjet tona nuk kanë fund. Është e pakuptimtë dhe e pashpjegueshme se si dhe ku e gjejnë guximin të tallen në këtë formë me fanellën bardhezi.
NON GRATA duke filluar nga Sokol Jareci, kryekomandanti i arbitrimit, e duke vijuar me “xholat” e tij, Ermis Çelaj, Andi Koçi, Enea Jorgji…
Stop teatrit dhe estradës në dëm të atyre që luajnë pastër dhe derdhin djersë për futbollin shqiptar!