Kush ishte Andrea II Muzaka

Andrea II Muzaka (1335-1372) ishte despot dhe themelues i principatës së Muzakajve.Dikur para vitit 1335, Andrea II, mori titullin e lartë despot, i cili vinte i dyti, pas atij të perandorit, në shkallën e hierarkisë bizantine.Nën drejtimin e tij, Muzakajt u vunë në krye të lëvizjeve antibizantine të viteve 1335-1341, që përfshiu trevat shqiptare jugore. Me atë rast, despot Muzaka lidhi edhe një aleancë me anzhuinët e Napolit. Në paktet e nënshkruara në Durrës më 30 dhjetor 1336 me Luigj Anzhunë, nip i mbretit Robert, Andrea II Muzaka njohu për kryezot mbretin e Napolit, i cili nga ana e tij i konfirmoi fisnikut shqiptar pronat, titujt e gradat e dhuruara nga perandorët e Bizantit.

Andrea Muzaka i pari 1279-1319.

Si peng të besnikërisë ndaj sovranit anzhuin, Andrea II Muzaka duhej të linte në Durrës, pranë përfaqësuesit të mbretit të Napolit, njërin prej djemve të tij.Shtypja e kryengritjeve antibizantine të jugut më 1336 u shoqërua me shpronësimin dhe me dëbimin e mjaft fisnikëve të familjes Muzakaj, të cilët u strehuan në Greqi, posaçërisht në Peloponez.Edhe në kohën e pushtimit serb të Stefan Dushanit (1345-1355) Muzakajt ishin frymëzuesit e qëndresës dhe ishin vazhdimisht në luftë me qeveritarin sllav të zonës së Beratit e të Vlorës, despotin Ivan Komnen Asenin.Aty nga viti 1350 Andrea II Muzaka mori Beratin, duke e detyruar qeveritarin e Stefan Dushanit ta zhvendoste selinë e vet në Kaninë. Pushteti i Muzakajve u shtri ndërkohë në Myzeqe, që e mori këtë emër pikërisht prej tyre (Muzakia=vendi i Muzakajve). Ndikimi i Muzakëve u bë i ndjeshëm edhe në qytetin e Durrësit, ku despot Andrea zotëronte pasuri të patundshme dhe ku marrëveshja e vitit 1336 me anzhuinët e lejonte të qëndronte dhe të lëvizte lirisht në atë qytet.Pas vdekjes së car Dushanit dhe shthurjes së Perandorisë Serbe, despot Andrea II Muzaka i zgjeroi më tej kufijtë e zotërimeve të tij në drejtim të zonës së Korçës e Devollit, duke dëbuar prej andej sundimtarët serbë të vendosur rishtazi. Nga fundi i viteve 60 ai aneksoi zotërimet e zotit të Karavastasë, sebastokratorit Vlash Matrënga, pushtoi kështjellën e rëndësishme të Bregut, doli mbi Shkumbin e mori tokat e Gosës e të Garunjës, duke u ballafaquar drejtpërsëdrejti me princin e fuqishëm të Arbrit, Karl Topinë. Po në atë kohë Andrea II Muzaka mori Vlorën e Kaninën nga duart e sebastit Aleksandër, që sundonte aty pas vdekjes së despotit Ivan Komnen.

Andrea Muzaka II 1335-1372.

Megjithatë, despot Muzaka shumë shpejt ia kaloi në formë paje këto dy qytete vëllait të vogël të Balshajve, Balshës II, pas martesës së këtij me vajzën e tij, Komitën. Siç duket, në bazë të aleancës midis këtyre dy familjeve fisnike shqiptare qëndronte rivaliteti i tyre i përbashkët me Topiajt e veçanërisht me sundimtarin serb Vukashin, atë kohë zot i Kosovës e i gjithë Maqedonisë Perëndimore, deri në Kostur. Pikërisht me ndihmën e Balshajve, despot Andrea II Muzaka theu më 1370 pranë Kosturit ushtrinë e krajl Vukashinit. Kjo fitore u përshëndet edhe nga perandori i Bizantit, Johani V Paleologu, i cili me këtë rast i konfirmoi Andrea II Muzakës titullin e despotit, duke i dhuruar fronin bashkë me shenjën përkatëse dalluese, shqiponjën me dy krerë e me yll në mes. Kjo zëvendësoi emblemën e hershme të Muzakajve, e cila paraqiste një burim që shpërthente nga toka duke u ndarë më dysh.Bashkë me konfirmimin e titullit despot, perandor Johani V Paleologu i kaloi Andrea II Muzakës edhe të drejtat mbi Kosturin.

Ndonjë vit më vonë, me ndihmën e Balshajve e të bujarëve të tjerë shqiptarë, despot Andrea i rrëmbeu Mark Krajleviçit, të birit të Vukashinit, qytetin e Kosturit. Në këtë mënyrë, në fund të jetës së tij, despoti plak, Andrea II Muzaka, kishte përfshirë në principatën e tij Myzeqenë, Beratin, Tomoricën, Skraparin, Këlcyrën, Përmetin, Oparin, Devollin, Kolonjën e Kosturin. Megjithatë, në krahun perëndimor të zotërimeve të Muzakajve, ndihej fort hegjemonia e Balshëve të fuqishëm, të cilët nga Vlora e Kanina ushtronin ndikim të madh në zonat përreth, deri në Berat, siç e dëshmon edhe mbishkrimi i të ashtuquajturit “Epitaf i Glavinicës” i vitit 1372.Aty nga viti 1374, Muzakajt ishin detyruar të tërhiqeshin edhe nga tokat që kishin zënë para pak vjetësh përtej Shkumbinit, si dhe nga kështjella e nga tregu i Bregut, në derdhje të Shkumbinit. Këto vende i kaluan rivalit të tyre, princit Karl Topia.Vdekja e despot Andrea II Muzakës menjëherë pas marrjes së Kosturit (ai u varros në kishën e Shën Ndoit në Durrës) ndikoi gjithashtu në dobësimin e zotërimit të Muzakajve. Ky u nda midis tre bijve të tij: Gjinit, Teodorit e Stojës. I pari trashëgoi zotërimet stërgjyshore të familjes, i dyti Beratin e zonën e Myzeqesë, kurse i treti viset nga Devolli në Kostur.

Related posts

A e dini se çfarë pinin ilirët?!

Zbardhet misteri! Ja sa i gjatë ishte Gjergj Kastriot Skënderbeu!

Njihuni me gruan që shpiku WiFi-n!