Merkato e bllokuar dhe vendi i fundit, te Kukësi nuk kanë fund telashet; largohet mbrojtësi (FOTO)

Kukësi

Kukësi ka rezultuar skuadra më e dobët e Kategorisë së Parë pas 17 javëve të para të kampionatit. Verilindorët e mbyllën pjesën e parë të sezonit në vendin e fundit të renditjes, me vetëm 9 pikë të grumbulluara në 17 ndeshje dhe me një golavarazh tejet negativ, 9-27, shifra që pasqyrojnë qartë krizën e thellë sportive.

Ndërkohë, drejtuesit kanë përpara një punë shumë të madhe dhe komplekse, që nis me zhbllokimin e merkatos nga FIFA për shkak të një detyrimi financiar të pashlyer ndaj një futbollisti, emri i të cilit nuk është bërë ende publik. Paralelisht, klubi duhet të zgjidhë edhe çështjen e pankinës, e cila ka mbetur bosh që nga largimi i trajnerit Bledar Devolli, si dhe të gjejë përforcime cilësore që mund ta nxjerrin ekipin nga rënia e lirë. Sa i përket largimeve, i fundit që ka ndërprerë marrëdhëniet me Kukësin është mbrojtësi Eni Imami. Ky i fundit ishte rikthyer gjatë verës te ish-ekipi ku ka fituar trofe, por këtë herë pa arritur të lërë gjurmë apo të ndikojë në ecurinë e skuadrës.

“Operacioni fshesa” pritet të jetë i gjerë gjatë merkatos së janarit, çka lë të kuptohet se edhe afrimet do të jenë të shumta. Megjithatë, shpresa e ambientit është që kësaj here të bëhet fjalë për përforcime cilësore dhe jo thjesht sasiore. Pas Rei Pecanit, i cili u largua disa javë më parë, me përfundimin e fazës së parë të sezonit Kukësin e ka lënë edhe Argel Avdiu. Në listën e futbollistëve që pritet të largohen përfshihen gjithashtu Plarent Fejzaj, sulmuesit Leo Ballhysa dhe Fadiga Badjie, portieri Fabricio Arevalo Menjura, si dhe Luis Birçaj e Ergi Brahja. Situata mbetet kritike në kampin verilindor, ku largimi i Imamit shihet si një tjetër sinjal i fortë se Kukësi po kalon një nga momentet më të vështira të historisë së tij të fundit.

Related posts

Alarm te Besa! Mungesat tronditin favoritët para betejës me Lushnjën

“Problemi te Partizani janë njerëzit rreth presidentit”, Haxhia zbulon prapaskenat te demat: S’na lanë të ndërtonim ekipin’

Akuza për pështyrje dhe ofendim, Dinamo mbron Dejvi Bregun (POSTIMI)