Vendi i fundit në renditje, te Kukësi fillojnë largimet e para (EMRAT)

Kukësi

Kukësi është aktualisht skuadra më e dobët e Kategorisë së Parë pas 17 javësh kampionat. Verilindorët e mbyllën pjesën e parë të sezonit në vendin e fundit, me vetëm 9 pikë në 17 ndeshje dhe me një golavarazh tejet negativ 9-27.

Statistikat flasin qartë, Kukësi i plotëson të gjithë parametrat negativë dhe konsiderohet kandidati numër një për rënien në Kategorinë e Dytë. Një skenar i tillë do të ishte një goditje e madhe për një klub me histori të pasur, që jo shumë vite më parë fitonte trofe në Superiore dhe përfaqësonte Shqipërinë denjësisht në arenën europiane. Sot, Kukësi rrezikon të rrëshqasë drejt nivelit më të ulët të futbollit shqiptar. Për të shmangur këtë rënie drastike dhe për të shpëtuar sezonin, shpresat e verilindorëve lidhen ngushtë me merkaton e dimrit.

Burime pranë klubit konfirmojnë se për momentin gjashtë deri në shtatë lojtarë janë në listën e largimeve. Emri i parë që është konfirmuar zyrtarisht është Argel Avdiu, i cili ka mbyllur bashkëpunimin me Kukësin pas një viti. Vetë 23-vjeçari e bëri të ditur largimin përmes një njoftimi në rrjetet sociale: “Falënderoj klubin, presidencën, stafin dhe bashkëlojtarët, si dhe një falënderim të veçantë për tifozët që na kanë mbështetur gjithmonë”, shkruan Avdiu, i cili në këtë edicion u aktivizua në nëntë ndeshje.

Situata te Kukësi mbetet kritike. Verilindorët vijojnë të mbajnë vendin e fundit në renditje dhe largimet pritet të mos ndalen këtu. Kandidati i radhës për t’u larguar është Plarent Fejzaj, ndërsa në listën e lojtarëve më të rrezikuar për t’u prekur nga “fshesa” janë edhe sulmuesit Leo Ballhysa dhe Fadiga Badjie, portieri Fabricio Arevalo Menjura, si dhe Luis Biorçaj e Ergi Brahja. Pak kohë më parë, për arsye personale, është larguar edhe Rei Pecani. Të gjitha këto lëvizje tregojnë qartë se Kukësi do të përfshihet fuqishëm në merkaton e janarit, e cila shihet si shpresa e vetme për të përforcuar skuadrën dhe për të siguruar rezultatet e mbijetesës. Paralelisht me ndërtimin e një grupi të ri, drejtuesit po punojnë edhe për gjetjen e trajnerit të ri, një teknik që do të marrë përsipër misionin e vështirë të shpëtimit të Kukësit.

Related posts

Vendime që ndezin polemika! Tirana po “vritet” nga penalltitë; rastësi apo tendencë?

“Kemi frikë kur pësojmë”, Edi Martini mesazh drejtuesve: Dua përforcime, kemi patur shumë dëmtime

“Nuk e lejuam Elbasanin të na rrezikonte”, Nuhiju ndjen keqardhje për barazimin dhe sqaron situatën: Kërkesa për t’u larguar nga fusha…