Ditën e martë do të luhet Kosovë-Turqi e vlefshme për finalen e Play-Offit për një vend në Kupën e Botës. Situata shqetësuese është duke u krijuar në prag të ndeshjes së radhës në stadiumin Fadil Vokrri Stadium, ku pritet një interes i madh nga tifozët vendas dhe ata mysafirë.
Burime të ndryshme bëjnë të ditur se një pjesë e biletave të blera fillimisht nga tifozë shqiptarë përmes platformës zyrtare të Federatës, po përfundojnë në duart e tifozëve turq, përmes rishitjes në tregun dytësor. Ky fenomen rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në atmosferën e ndeshjes, duke shtuar ndjeshëm praninë e tifozëve mysafirë edhe jashtë sektorit të rezervuar për ta. Një situatë e ngjashme është parë edhe në ndeshjet e kaluara të Kosovës si mysafire, ku tifozët “Dardanë” kishin siguruar bileta në sektorë të ndryshëm të stadiumeve pritëse. Tani, i njëjti skenar duket se po përsëritet në Prishtinë, por në disfavor të përfaqësueses vendase.
Ndërkohë, reagimet e tifozëve kanë qenë të shumta, duke e cilësuar këtë fenomen si të papranueshëm dhe në dëm të skuadrës, e cila në këtë fazë vendimtare ka nevojë maksimale për mbështetje nga tribunat. Nga ana tjetër, deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Federata e Futbollit e Kosovës lidhur me këtë çështje, ndërsa mungesa e mekanizmave për kontrollin e rishitjes së biletave mbetet një problem i hapur.
Nëse kjo situatë vazhdon, ekziston rreziku real që në një nga ndeshjet më të rëndësishme, Kosova të mos ketë mbështetjen e plotë në stadiumin e saj, duke u ndjerë si “mysafire” në shtëpi.