Korabi u mund nga Apolonia me rezultatin 3-0, një disfatë që ka zbritur ekipin dibran në zonën “Play-Out”. Një pjesë e parë e kujdesshme, me Korabin që e interpretoi mirë takimin. Në pjesën e dytë, në një moment pakujdesie në mbrojtje Fransis shënoi golin e parë, ndërsa do të ishte mbrojtësi i cili do të realizonte të dytin, ndërsa Robin vulosi këtë takim. Fierakët marrin fitoren e tretë radhazi në kampionat, ngjiten në kuotën e 40 pikëve dhe mbajnë gjallë shpresat për një vend në “Play-Off”. Pas ndeshjes për RTSH tekniku u shpreh:
DEKLARATA E ALFRED DELIALLISIT
“Në pjesën e parë ishim të ekuilibruar dhe korrektë. I kishim marrë masat që ta markonim sulmuesin e tyre kryesor, Umejiegon, si dhe të mbyllnim hapësirat boshe dhe linjat e ndërmjetme. U munduam edhe të luanim topin edhe të vertikalizonim. Në disa momente e bëmë dhe në disa momente të tjera jo. Në pjesën e dytë, kishim mungesë të theksuar përqendrimi, pësuam një gol naiv nga një goditje standarde dhe një gol të dytë nga brishtësia. U ‘vra’ ndeshja dhe humbëm shpresat për një rezultat pozitiv.
Korabi luajti ditën e enjte, ndaj mendoj se ka ndikuar edhe gjendja fizike, që duhet pranuar se nuk ishte më e mira. Kishim një lloj rënie, ose më mirë të themi nuk mund t’i përballojmë dy ndeshje brenda pak ditësh. Megjithatë, duhet të ulim kokën, të vazhdojmë punën, pavarësisht vështirësive. Përpara kemi një finale me Kastriotin, që duhet fituar për të shmangur “play out”-in. Na duhet të luftojmë, natyrisht ekipi duhet të mësohet me presionin. I tillë është futbolli, gjithmonë ka presion”.