Korabi po operon në merkato me hapa të sigurt, duke zyrtarizuar një afrim të rëndësishëm dhe duke rinovuar kontratat e disa prej lojtarëve kyç të sezonit të kaluar.
Mesfushori Redon Laho është lojtari më i ri i dibranëve. Klubi ka arritur marrëveshjen me futbollistin, i cili ka firmosur kontratën që e lidh me Korabin. Laho, që më parë ka luajtur për Luzi 2008 dhe Dinamon, pritet të shtojë qartësi dhe forcë në mesin e fushës, duke ofruar eksperiencë dhe cilësi teknike.
Korabi njofton arritjen e marrëveshjes edhe me Jurgen Mehidri. Portieri ka arritur akordin me klubin ku ka hedhur firmën mbi kontratën, që e lidh me KF Korabin.Përveç afrimeve të reja, Korabi ka garantuar edhe vazhdimësinë e disa prej elementëve më të rëndësishëm të formacionit. Skënder Lilaj ka rinovuar me klubin, duke konfirmuar edhe për sezonin e ardhshëm prezencën e tij në repartin e mesfushës.
Një tjetër rinovim i rëndësishëm është ai i Taulant Markut, i cili do të vijojë të kontribuojë në objektivat e skuadrës. Marku ka treguar stabilitet dhe përkushtim, duke u bërë një nga pikët e forta të ekipit. Ndërkohë, lajmi më i mirë për tifozët është fakti që kapiteni Sokol Mziu ka zgjatur bashkëpunimin me Korabin. Lideri i skuadrës, i njohur për karakterin dhe eksperiencën e tij, do të vazhdojë të drejtojë djemtë e Korabit në fushë edhe në sezonin e ri. Me këto lëvizje, KF Korabi tregon vendosmërinë për të qenë konkurrues në kampionat, duke ruajtur boshtin e skuadrës dhe duke shtuar elementë të rinj për të rritur cilësinë dhe konkurrueshmërinë.