Dy persona kanë ndërruar jetë në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit pas dyshimeve për një helmim masiv nga uji.
Mediat e Kosovës duke iu referuar burimeve nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan raportojnë se janë mbi 800 raste të cilët dyshohet se kanë pasur simptoma të njëjta dhe një pjesë e tyre kanë kërkuar ndihmë spitalore.
Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”. Ndërkaq Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) deklaroi dje se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshuara të baktereve.
Megjithatë, drejtori i IKSHPK, Naser Ramadani, deklaron testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator, duke shtuar se shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.
Sot Komuna e Deçanit ka marrë vendim që të shpallë gjendje emergjente në gjithë territorin e kësaj njësie administrative. Në vendimin që e ka marrë kjo komunë thuhet se “obligohen të gjitha institucionet e nivelit lokal për ngritjen e gatishmërisë për menaxhimin e kësaj situate emergjente të ndodhur pas helmimit të fundit”.
Po ashtu thuhet se drejtoritë si ajo e Shëndetësisë, e Financave, Drejtoria për Mbrojtje, Njësia e Zjarrfikëse, Inspekcioni, QKMF-ja si dhe KRU Hidrodrini e NPL Higjiena janë të obliguar të punojnë me kapacitete të plota njerëzore dhe humane, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të komunës së Deçanit.