Komisioni i Disiplinës i mbledhur sot, ka shqyrtuar ngjarjet e fundjavës në futbollin shqiptar me një vëmendje të veçantë te derbi i kryeqytetit i cili prodhoi kaos në fushën e lojës dhe në tribuna. Ashtu siç pritej, kanë plasur dënimet për lojtarët dhe drejtuesit e dy skuadrave, si dhe ka dënime edhe për tifozët që u përleshën mes tyre.
Megjithatë, Komisioni i Disiplinës ka dhënë vendime minimale sa u përket sherreve në këtë sfidë, edhe pse ngjarjet në fillimin e ndeshjes nga tifozet dhe në fund të sfidës nga lojtarët e dy skuadrave, shëmtuan një ndeshje e cila trumbetohet shpesh si ”kartolina e kampionatit”. Bie në sy se ai që është dënuar më rëndë është drejtori sportiv i bardhebluve, Agim Ibraimi.
KOMISIONI I DISIPLINËS, VENDIMET
- FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në drejtim të tifozerisë kundërshtare, duke përdorur kore fyese ndaj ekipit dhe tifozerisë kundërshtare si dhe duke lejuar hyrjen e tifozëve në fushën e lojës para fillimit të ndeshjes, në bazë të neneve 17/2/a, 17/2/b dhe 17/2/e të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (Njëqind mijë) lekë.
- Lojtari i FK Partizani, Besar Gudjufi, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë, duke fyer lojtarët e ekipit kundërshtar me shenja fyese, në bazë të nenit 13/2 të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Në aplikim të nenit 34/1 dhe 34/3 të KDE, vendoset pezullimi i pjesshëm i zbatimit të dënimit pas shlyerjes së gjysmës së tij. Periudha e pezullimit me kusht do të jetë 6 (gjashtë) muaj.
- Lojtari i FK Partizani, Altin Bytyçi, për sjellje josportive ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/b të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në drejtim të tifozerisë kundërshtare si dhe duke përdorur kore fyese ndaj ekipit dhe tifozerisë kundërshtare, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/e të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
- Lojtari i KF Tirana, Leon Kozi, për sjellje josportive ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/b të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Lojtari i KF Tirana, Gledi Mici, për sjellje josportive ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/b të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Lojtari i KF Tirana, Aldi Gjumsi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Në aplikim të nenit 34/1 dhe 34/3 të KDE, vendoset pezullimi i pjesshëm i zbatimit të dënimit pas shlyerjes së gjysmës së tij. Periudha e pezullimit me kusht do të jetë 6 (gjashtë) muaj.
- Zyrtari i KF Tirana, Agim Ibrahimi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Lojtari i FK Pogradeci, Silvio Vokri, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Flamurtari FC, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës si dhe duke përdorur flakadanë dhe banderola fyese ndaj ekipit kundërshtar, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/e të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
- FK Kukësi, për mos respektimin e detyrimeve dhe rregulloreve të aktivitetit duke shkaktuar vonesa në fillimin ndeshjes, në bazë të neneve 8/1 dhe 13/2/a të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
LEXO ME SHUME:Ardjan Takajt i soset durimi, ultimatum lojtarëve të Skënderbeut për sfidën ndaj Tiranës