Komisioni i Disiplinës është mbledhur edhe këtë javë si çdo herë. Edhe këtë të enjte kanë marrë vendimet për shkeljet e javës së fundmit nga Superiorja, Kategoria e Parë e deri te futbolli i moshave.
Me “dorë të hekurt” është treguar ndaj futbollistit të Skënderbeut, Dejvid Janaqi dhe atij të Partizanit Arinaldo Rrapaj. Të dy lojtarët janë ndëshkuar me nga 3 ndeshje pezullim dhe shkak është bërë sherri në ndeshjen e së dielës mes Skënderbeut dhe Partizanit që u zhvillua në Korçë.
Gjithashtu një dënim shumë i ashpër është dhënë për drejtorin sportiv të Kukësit, Naim Halilin. Ky i fundit është pezulluar për plot 2 vite duke i ndaluar ushtrimin e detyrës, por edhe hyrjen në stadiumet shqiptare. Këtij dënimi i shtohet edhe mbyllja e dyerve të stadiumit “Kukës Arena”, i cili nuk do të presë tifozë për 4 ndeshje.
Ja vendimet e plota të Disiplinës:
1. FK Egnatia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/1 dhe 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 200.000 (njëqind mijë) lekë dhe zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa spektatorë.
2. KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
3. KF Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe fyer tifozerinë mike, në bazë të neneve 13/2, 17/2/b, 17/2/c dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë.
4. Lojtari i KF Skënderbeu, Dejvid Janaqi, për sulm fizik ndaj lojtarëve kundërshtarë, në bazë të nenit 14/1/i të KDE dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
5. Lojtari i FK Partizani, Arinaldo Rrapaj, për sulm fizik ndaj lojtarëve kundërshtarë, në bazë të nenit 14/1/i të KDE dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
6. FK Kukësi, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe duke lejuar hyrjen e spektatorëve në fushën e lojës, në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/1, 17/2/a, 17/2/b dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë dhe zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës.
7. Zyrtari i FK Kukësi, Naim Halili, për sulm dhe dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes para fillimit të ndeshjes midis FK Kukësi kundër FK Erzeni, në bazë të neneve 6/2/a, 13/2, 14/1/k, 14/1/l, 32, 59 dhe 77 të KDE, dënohet me 2 (dy) vite pezullim nga të gjitha veprimtaritë futbollistike të organizuara nga FSHF. Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet dhe veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.
8. Zyrtari i KF Lushnja, Mario Sula, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
9. AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
10. FK Tomorri, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
11. Zyrtari i KF Sopoti, Besnik Kola, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
12. Zyrtari i FC Iliria, Gentian Selmani, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
13. Lojtari i KF Maliqi, Kostandino Dramolli, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në aplikim të nenit 34/1 dhe 34/3 të KDE, vendoset pezullimi i pjesshëm i zbatimit të dënimit pas shlyerjes së gjysmës së tij. Periudha e pezullimit me kusht do të jetë 6 (gjashtë) muaj.
14. Zyrtari i KF Maliqi, Erjon Beqiraj, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së sjelljes së gabuar duke vonuar fillimin e ndeshjes, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe Rregulloret e FSHF.
15. KF Shkumbini, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke përdorur kore fyese ndaj ekipit kundërshtar dhe FSHF, në bazë të neneve 13/2 dhe 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/b të KDE, gjoba të aplikohet në masën 20%.
16. Lojtari i KF Turbina, Florian Peqini, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve kundërshtarë, në bazë të neneve 14/1/b dhe 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në aplikim të nenit 34/1 dhe 34/3 të KDE, vendoset pezullimi i pjesshëm i zbatimit të dënimit pas shlyerjes së gjysmës së tij. Periudha e pezullimit me kusht do të jetë 6 (gjashtë) muaj.