Ditën e sotme, në seancën e fundit, Kombëtarja është surprizuar për keq, sepse gazeta “Kurir” ndoqi fshehurazi seancën e fundit stërvitore, gjë që për gazetarët shqiptarë, ndjekja e stërvitjes është e hapur vetëm 15 minutat e para.
Sipas gazetës serbe, lojtarët e Kombëtares kanë zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore. Trajneri Silvinho mori pjesë aktive në stërvitje si lojtar dhe kujtoi ditët e tij të lavdisë dhe duket se është i kënaqur me lojtarët e tij, gjë që mund të konkludohet nga thirrjet e shpeshta “bravo”. Një lajm i tillë sigurisht që nuk do t’i pëlqejë drejtuesve të Federatës, të cilët në përballjet e tjera do të jenë më të kujdeshshëm.
Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026, por Rei Manaj vijon të mos jetë gati. Sulmuesi i Sivasspor, i cili kaloi një gjendje gripale, u stërvit veçmas në palestër. Koha shtrëngon dhe tani Sylvinho ka nisur të shqetësohet për gjendjen e lojtarit të tij. Nëse nuk vjen në formën e duhur për të shtunën, atëherë kundër Serbisë ofensiva do të udhëhiqet nga Mirlind Daku.
Ekipi i drejtuar nga trajneri brazilian u stërvit me intensitet të plotë pasditen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit”. Sylvinho, duke përjashtuar këtu Manaj, kishte në dispozicion të gjithë grupin e lojtarëve. Manovrat taktike kanë qenë në plan të parë për kuqezinjtë, që kërkojnë të mos zhgënjejnë para publikut të tyre në ndeshjen që ka më shumë rëndësi.