“Këta lojtarë kam”, Qatip Osmani shfaq shenja dorëzimi pas ndeshjes me Laçin: Na mungoi ideja për pasin e fundit

Vllaznia dhe Laçi e kanë mbyllur në barazim ndeshjen në kuadër të javës së 13-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” përfundoi me rezultatin 0-0.

Pas kësaj sfide, për mikrofonat e MCN TV ka folur trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani. “Mendoj se problemin e kishim në 20 metërshin e fundit, ku mungonte ideja për të dhënë pasimin e fundit. Ishim shumë statik në 16 metërshin e kundërshtarit”, u shpreh Osmani.

-A u ndje mungesa e Balaj dhe a është Gomes një alternativë?

“Po bëhet fjalë për lojtarë kualitativ dhe cilësorë. Veçanërisht Balaj, por edhe Malaj, po të ishin në rastet e krijuara sot do të shënonim nga një gol. Ai është lojtar që krijon hapësira dhe u ndje mungesa e Bekim Balaj.”

-Duke qenë se nuk po e merr ende fitoren e parë me Vllazninë, cila është diferenca mes kampionatit shqiptar dhe atij maqedonas?

“Kampionati shqiptar është më i mirë dhe ekipe kualitative. Në Maqedoni ka më pak ekipe cilësore. Kampionati i Shqipërisë është shumë më i fortë.”

-Mendon se me këtë skuadër që po stërvit, mund të fitohen ndeshje?

“Këto lojtarë kemi në dispozicion. Si trajneri i ri jam munduar që të nxjerr maksimumin prej çdo lojtari. Ka potencial për të fituar ndeshje edhe pse lëndimet e lojtarëve cilësorë, shihet shumë mungesa e tyre. Disa kthehen nga lëndimet dhe më pas dëmtohen të tjerë. Nuk po koordinohemi dot, pasi nuk jemi e gjithë ekipi që të mblidhemi.”

-Kalendari është një malore për ju…

“Do të mundohemi. Këto lojtarë janë. Gjithsesi mungesa e këtyre lojtarëve e bën të veten. Kemi shpresa që Mala dhe Balaj të na kthehen. Hakaj u kthye sot dhe jam i kënaqur me lojën e tij. Mendoj se duhet të presim rezultate më të mira sepse nuk jemi në pozitë që të bëjmë llogari.”

Related posts

Davide Ziu, talenti shqiptar firmos kontratën si profesionist me Renaten: Ëndrra ime të përfaqësoj Kombëtaren (video)

Flamurtari kërkon ngjitjen në elitë, transferon ish-futbollistin e Dinamos (ZYRTARIZIMI)

Krijoi faturë fiktive për llogari të Ilir Beqajt, SPAK vendos masë sigurie për ish-drejtorin e Partizanit