Kategoria Superiore/ Çela harron ndeshjen ndaj Tiranës: Kastrioti ende nuk e di pse nuk luan në Kamëz

“I mbyturi, të mbyt” është një shprehje që Tirana duhet ta dijë mirë. Pas fitores me Kukësin, Kastrioti do të tentojë këtë javë të marrë pikë ndaj bardhebluve e për të shpresuar qëndrimin në Kategorinë Superiore. Aktualisht krutanët renditen në vendin e fundit, por zona e play-outit është vetëm 5 pikë larg. Emiliano Çela, përpara se të fliste për kundërshtarin u ndal në vendimin e Komisionit të Disiplinës, ku lojtari i kastriotit Eneid Kodra për sulm ndaj kundërshtarit u dënua me 5 ndeshje. “Mendoj se vendimi ishte i fryrë pasi djaloshi gaboi e pranojmë, por nuk është gjest I përsëritur. Mendoj se dhe koha kur u shpall vendimi ishte e gabuar pasi ne si staf e kishim llogaritur Kodrën për takimin e radhës”, tha Emiliano Çela.

Në skuadër ka moral të lartë pas fitores së fundit, por ajo që prish planet e trajnerit Çela janë ndëshkimet me kartonë të tre titullarëve. Mësohet se mbrojtësi i majtë, Armando Rami, si dhe sulmuesit e krahut, Bedri Greca dhe Redon Mihana nuk do të jenë të gatshëm. Emiliano Çela ngre shqetësimin edhe për stadiumin, pasi sipas tij ende nuk e dijnë pse nuk mund ti zhvillojnë ndeshjet në Kamëz. “Nuk e di përse nuk mund të luajmë në Kamëz, por duhet të shkojmë në Elbasan. Federata dënoi Egnatian dhe tërhoqi vendimin tani për ne nuk e di përse nuk po mban të njëjtin qëndrim”, akuzoi trajneri i Kastriotit.

Kastrioti ka ditur të befasojë Tiranën në sezonet e fundit dhe Çela do të mundohet të ndërtojë një strategji për të bllokuar bardheblutë, të cilët po kalojnë një formë të mirë. Sipas teknikut, skuadra do të bëjë gjithçka, pavarësisht telasheve që ka në skuadër. “E dimë fare mirë se kemi përballë një sfidë mjaft të vështirë, por do të vazhdojmë në rrugën tonë dhe do të japim maksiumin. Duhet të mundohemi të bëjmë sa më shumë pikë”, pohoi Çela.

Ditën e dielë duke filluar nga ora 15:00 Tirana do të presë Kastriotin për javën e 31-të të Kategorisë Superiore, sfidë që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”.

Related posts

Teuta e nis sezonin me rinovime, dy titullarët pjesë e skuadrës edhe për një sezon

AF Elbasani gjen menjëherë zëvendësuesin e Nevil Dedes, pritet firma me trajnerin e njohur

Filip Najdovski bën prapakthehu, mbrojtësi hedh firmën mbi kontratë (FOTO)