Kategoria e Parë nis këtë javë pjesën e mbetur të kampionatit. Java e 18-të pritet të sjellë përballje emocionuese, me skuadrat që kërkojnë të mbajnë gazin në maksimum, sidomos ekipet që pretendojnë promocionin. Ditën e premte në orën 13:30 do të luhet takimi mes Kukësit dhe Pogradecit. Të shtunën do të zhvillohen pesë përballjet e fundit. RTSH do të transmetojë dy përballjet më interesante. Vora kryesuese pret Kastriotin, takim që do të transmetohet në RTSH 2, duke filluar nga ora 13:30, dhe në po të njëjtën orë, Burreli-Besa, në RTSH Sport.
Kategoria e Parë pritet të ketë përballje më interesante, Flamurtari do të sfidojë Korabin me shpresën për të ruajtur vendin e dytë, Apolonia do të presë Valbonën, në një sfidë që pritet të rezervojë surpriza, me dy skuadrat që kërkojnë të dalin nga zona e ftohtë e renditjes. Ndërsa Erzeni do të tentojë fitoren e parë në kampionat, ku në Tofik Jashari do të sfidojë Lushnjen.
LEXO ME SHUME:Besa i tregon forcën rivalëve, pas Grecës firmos me lojtarin ekspert në Kategorinë e Parë (FOTO)
BESA DHE FLAMURTARI, SKUADRAT MË AKTIVE
Besa do të ketë një pamje ndryshe në pjesën e dytë të sezonit, kur do të drejtohet nga Emiliano Çela. Kavajasit po bëjnë investime të tjera të rëndësishme për të fituar garën që kanë me skuadrat e Vorës dhe Flamurtarit për ngjitjen direkte në Superiore. Pas afrimit të trajnerit Emiliano Çela dhe sulmuesit Bedri Greca, klubi kavajas ka gjetur akordin edhe me një tjetër futbollist cilësor, me të kaluar në Kategorinë Superiore. Mësohet se argjentinasi Roberto Migone, është tashmë një futbollist i kavajasve.