Kastrioti arriti të mbijetojë në Kategorinë e Parë pa ndeshje shtesë, por periudha pas përfundimit të sezonit ka shtruar shumë pikëpyetje sa i përket të ardhmes së krutanëve. Jo pak, por gjashtë titullarë të Kastriotit janë vetëdeklaruar se s’do të jenë më pjesë e ekipit.
Bëhet fjalë për Kevin Doseh, Enes Kuka, Edmond Hoxha, Zasjar Arapi, Dejvid Kapllani dhe Joan Çela. Spikat sulmuesi Kapllani, autori i 14 golave, i cili nuk do të jetë më pjesë e krutanëve. Për momentin në dyshim shikohet edhe trajneri Ramadan Ndreu, pasi nuk dihet nëse do të vazhdojë të drejtojë ekipin edhe në sezonin e ri. Deri më tani ai nuk është konfirmuar nga klubi për të qenë në krye të pankinës. Gjithsesi, për trajnerin Ndreu, apo edhe për futbollistët e deklaruar si të larguar nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga klubi.
Kastrioti, në përfundim të sezonit 2023-2024, u rendit në vendin e 7-të me 40 pikë. Paraqitja e skuadrës ka qenë nën nivelin mesatar, madje në disa ndeshje ka zhgënjyer. Në 5-6 javët e fundit, ekipi mori pikët e nevojshme që i siguruan qëndrimin në Kategorinë e Parë. Ekipi e nisi kampionatin me mjaft futbollistë të rinj, por disa prej tyre nuk dhanë atë që pritej. Jo pak ndikoi në paraqitjen e skuadrës edhe mungesa e stadiumit në qytetin e Krujës, që prej më se pesë vitesh ndodhet jashtë funksionit. Këtë problem, tekniku Ndreu e ka trajtuar në prononcimet e tij në media.