Banorët e Parisit po presin me padurim të rifitojnë pak nga liritë e humbura, ndërsa qeveria tha se do të nisë me lehtësimin e masave nga fillimi i muajit maj.
“Shpresoj që Parisi të rikthehet qyteti që ka qenë. Parisi siç e njoh dhe e shijoj unë, zhurmon nga njerëzit që ulen jashtë në bistro e restorante duke shijuar verë dhe ushqim në shoqëri”, tha Samara Graham Smith.
Kufizimet për udhëtimet brenda vendit do të hiqen nga 3 maji, siç u bë e ditur pas një mbledhje të qeverisë. Në po të njëjtën ditë do të rikthehen në klasa nxënësit nga 11 deri në 18 vjeç. Sipas kryeministri Jean Castex, vendi e ka kaluar tashmë pikun e valës së tretë dhe nga mesi i muajit mund të nisë rihapja e bareve e restoranteve në ambient të hapur.
“Situata shëndetësore po përmirësohet në vendin tonë. Përgjatë 10 ditëve të fundit kemi parë ulje të ndjeshme të infektimeve. Pikun e valës së tretë duket e se kemi lënë pas krahëve, megjithatë duhet të mbetemi vigjilentë”, u shpreh Jean Castex.
Franca raportoi mbi 34 mijë raste në 24 orët e fundit, ndërsa mesatarja javore e infektimeve ishte në nivelin më të ulët që prej mesit të marsit kur nisi izolimi i tretë kombëtar.