Dinamo do ta mbyllë javën e dytë stërvitore me ndeshjen e parë miqësore të këtyre përgatitjeve. Presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, në një prononcim shpreh besimin se skuadra do të jetë e kompletuar për sezonin e ri. Ai bën të ditur se dy ose tre lojtarë do të bashkohen me blutë në Itali, ku do të kryhet pjesa e dytë e fazës përgatitore.
“Mendoj se kemi bërë mirë deri tani, por sigurisht që merkatoja është e hapur. Kini besim, do të bëjmë gjëra të mira këtë herë. Ju pyesni gjithmonë për emrat e rinj, por unë do të thosha se nuk na interesojnë shumë emrat. Na intereson grupi, duhet të krijohet një grup sa më i fortë, sa më i mirë dhe them se po krijohet.
Grupi dhe kompleksi i ri në Arbanë për mua janë shërimi i Dinamos. Me kompleksin e ri, që është baza jonë, dhe me ndërtimin e një skuadre që të bazohet te grupi, kam bindjen se do të kemi sukses. Do të kemi po ashtu disiplinën parësore në klub. Megjithatë, për merkaton mund të them se jemi në kontakte me lojtarë të ndryshëm dhe tani të shohim. Duam të bëjmë më të mirën dhe ju garantoj se Dinamo do të jetë e plotësuar para se të nisë sezonin e ri.”