Ish-agjenti i forcës operacionale jeton lami i arrestuar me akuzën se shoqëronte të kërkuarin Ervis Martinaj gjatë lëvizjes në disa qytete, ka refuzuar të flasë. Tri herë radhazi hetuesit dhe gjykata i kanë kërkuar shpjegime, por ish-polici nuk ka pranuar të japë asnjë deklaratë. Nga ana tjetër hetimet për të zbardhur denoncimin e familjes për zhdukjen e Ervis Martinajt duket se kanë mbetur në vendnumëro.
Tre muaj nga arrestimi i agjentit të forcës operacionale Jeton Lami, me akuzën e bashkëpunimit me të kërkuarin Ervis Martinaj, ish polici ende nuk ka pranuar të flasë për hetuesit e çështjes.
Jeton Lami, vijon të mbahet në qeli ndërsa gjatë kësaj kohe prokurorët e kanë vizituar tri herë me shpresën se ai do pranojë të flasë rreth asaj që di, për Ervis Martinajn.
Agjenti i policisë u arrestua në 24 gusht pasi në dy momente doli nga kamerat filmike, teksa shoqëronte Ervis Martinajn, personin e kërkuar nga prokuroria e posaçme SPAK, për akuzën e “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve” me qëllim vrasjen e Endrit Dokles. Por teksa SPAK dhe policia e kërkonte me qëllim arrestimin e tij, Martinaj është zhdukur në 8 gusht 2022. Në përpjekje për të gjurmuar të kërkuarin policia dhe prokuroria e Laçit, zbuloi se ai shoqërohej me agjentin e policisë Jeton Lami.