Japrak me spinaq – Nga më të mirat e traditës Shqiptare

Një recetë me produktet më të shëndetshme të prodhuara nga toka shqiptare.

Spinaq, labot, nenë dhe erëza e mrekullueshme e nenexhikut, e kombinuar në një ndër gatimet më speciale dhe të shijshme të kuzhinës shqiptare, japrakët.

Fantastik kur përgatiten me gjethe rrushi apo lakër të bardhë por padyshim edhe version i tyre i përgatitur me spinaq është i mrekullueshëm.

Një mënyrë krejt e shëndetshme për t’u ushqyer shëndetshëm dhe për t’i dhuruar organizmit mirëqenie.

Më poshtë ju sugjerojmë recetën e përgatitjes së japrakëve krejt lehtë në shtëpi sipas traditës së nënave dhe gjysheve shqiptare.

Përgatitja e Japrakëve me Spinaq

Përbërësit

  • 30-35 gjethe spinaqi
  • 3 gota miell misri
  • 1 dorë qepë të njoma
  • 2 duar labot dhe nenë
  • 3 filxhan kafeje vaj ulliri
  • Nenexhik
  • Kripë
  • Piper

Përgatitja

Për përgatitjen e japrakut me spinaq përzgjidhen gjethe të mëdha dhe të njoma (llogariten 7-8 gjethe për person).

Pasi lahen me ujë të rrjedhshëm, gjethet kalohen në ujë të ngrohtë me kripë sa të zbuten.  Më pas hapen në tavolinën e punës për t’u bërë gati për mbushje.

Përgatitja e mbushjes

Bishtat e qepëve të njoma grihen hollë së bashku me nenë, labot, kopër dhe nenexhik, majdanoz dhe shtypen me duar, sa të lëshojnë lëngun e tyre.

Mielli i misrit sitet dhe vihet në një tenxhere. Shtohen kripë, ujë i nxehtë dhe vaj ulliri.

Masa përzihet dhe përgatitet një brumë i butë.

Në të shtohen qepët e përgatitura, kripë dhe përzihen.

Përgatitja e Japrakëve

Gjethja vendoset në dorën e majtë dhe në të vendoset mbushja me lugë.

Pasi mblidhen anët e gjethes në formë rolete ngjishet me dorë.

Në një tenxhere shtrohen disa gjethe spinaqi dhe vendosen japrakët e ngjeshur njëri pas tjetrit (jo më tepër se 2-3 reshta).

Sipër u vendoset një pjatë (që të mos hapen kur u hidhet uji) dhe mbi të hidhen kripë, vaj ulliri dhe ujë sa të dalë mbi pjatë. Japrakët lihen të zjejnë.

Shërbehen të ngrohta dhe shërbehen me kos, dhallë apo tarator.

Related posts

Pilaf me kinoa – Receta e veçantë me plot shije!

Pogaçe e ëmbël – Receta e shijshme që kënaq gjithë familjen!

Akullore me kos dhe fruta – Receta me freski dhe shije perfekte!