Gjobitet për herë të dytë për mosmbajtjen e maskës Monika Kryemadhi! Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim është përfshirë në një sherr masiv me efektivët e Policisë, gjatë një takimi që pati me qytetarët e Durrësit. Kryemadhi, njësoj si më parë, është paraqitur në takim pa maskën mbrojtëse ndaj Covid-19, dhe pikërisht për këtë arsye është përfshirë në debat me policinë. Efektivi i ka kërkuar kartën e identitetit Kryemadhit, e cila i ka dhënë të dhënat verbalisht.
“Unë jam Monika Kryemadhi vëlla, e bija e Ramazan Kryemadhit, vërë atë 30 mijë lekëshin tënd,”- dëgjohet të thotë kryetarja e LSI-së.
Në debat është përfshirë edhe Elona Guri, e cila shoqëronte Kryemadhin.
“Përse shqetësoheni kaq shumë për shëndetin tonë?’- thotë ajo teksa flet me një prej efektivëve.
Një prej të moshuareve, banore e zonës, ndërhyri gjithashtu.
‘Para se të shqetësoheni për maskat ju, pse nuk mendoni për mua që kam një vit këtu e nuk më vjen njëri…..ka një vit që më iku goca në dhe,”- thotë gruaja në fjalë.
Më pas, Kryemadhi firmosi gjobën teksa u dëgjua të thotë: Do t’ja çjerrim maskën Edi Ramës.
Monika Kryemadhi u gjobit edhe një ditë më parë, pasi zhvilloi një takim me banorët e prekur nga tërmeti në Kombinat, bashkë me Floida Kërpacin. Pas gjobitjes, kryetarja e LSI-së deklaroi se nuk kishte dijeni, pasi nuk ishte ndaluar nga asnjë efektiv. Kryemadhi e ka kundërshtuar rregullin e detyrueshëm për vendosjen e maskës në ambiente publike. Ajo u ka bërë thirrje edhe qytetarëve më herët, që të mos e vendosin maskën.