FOTO/ Partizani pagoi 50 mijë për ta transferuar, mbrojtësi nuk kalon dot testet mjekësore

Ismaila Sodiq

Ismaila Sodiq ishte objektiv i Partizanit në këtë merkato dimri.  Edhe pse marrëveshja ishte thjeshtë çështje formaliteti, sipas mediave 21-vjeçari nuk ka kaluar testet mjekësore duke bërë që ky transferim të dështojë. Anësori i linjës së djathtë vuan nga insufiçença kardiake.

Një patologji e rëndë që asesi nuk do ta lejonte jo klubin, po as vetë futbollistin të zbriste në fushën e blertë. Edhe pse Sodiq debutoi me kombëtaren e Nigerisë në verën e vitit të shkuar në kualifikueset e Kupës së Botës, drejtuesit e kuq kanë hequr menjëherë dorë nga kartoni i tij.

Precedenti “Dwamena” ka vënë në lëvizje gjithë Superioren e për më tepër te Partizani që vizitat mjekësore janë pjesë e rëndësishme e protokollit të transferimit të një futbollisti. Partizani pagoi 50 mijë euro për ta blerë nga klubi nigerian Remo Stars, por kjo shifër tashmë do t’i rikthehet klubit të kuq.

TRANSFERIMI DHE KONTRATA ME PARTIZANIN

21-vjeçari, i cilësuar si një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë afrikanë nën moshën 23 vjeç, ishte përforcimi i parë i të kuqve në merkaton dimërore, por kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga ardhja në Shqipëri ai dëshiron të largohet.

Ndërkohë Partizani është i qetë në pozicionin e tij, për shkak të kontratës së nënshkruar, por edhe për shkak se nënshkrimi i Sodiq mund të kthehet shumë shpejt në një afar fitimprurës.

Ai ka shënuar 12 gola në sezonin e kaluar me Remo Stars në kampionatin nigerian, një shifër e lartë për një mbrojtës, si dhe ishte protagonist i kombëtares B të Nigerisë në kualifikueset e Kupës së Afrikës për kombëtaret B që do të zhvillohet në shkurt.

Related posts

Ernest Muçi merr një tjetër surprizë, gazeta “Fanatik” e çon në… Premier League

“Hyrjen në stadium ndaj Tiranës e keni falas”/ Vllaznia surprizon nxënësit e shkollës “Ndre Mjeda” (video)

“Indrit Myrtja na shkatërroi”/ Trajneri i Apolonisë nuk kursehet, kërkesa e tij shkon deri në FSHF: Presidenti Duka duhet të merret me këtë problem