Ishin shokë fëmijërie, sulmuesi i Partizanit i tronditur për Dwamenan: Jam i ngarkuar, do iki në Ganë që t’i kryej nderimet e fundit

Sulmuesi i Partizanit, Alfred Mensah, me siguri po përjeton ditët e tij më të vështira. Në harkun e vetëm pak ditëve ai humbi babanë në mënyrë të papritur, teksa më 11 nëntor u përball edhe me humbjen e një prej shokëve të tij të ngushtë këtu në Shqipëri, Rafael Dwamenës.

Të dy janë nga Gana dhe njihen që në fëmijëri. Mensah shprehet se ndjehet akoma keq. “Është e vërtetë që po qaja. Edhe tani jam shumë i ngarkuar dhe ndihem shumëshumë keq. Kur po shkonim drejt Rrogozhinës ndieja se nuk mund të luaj. Doja të luaja, por mënyra se si ndihesha ma bënte thuajse të pamundur. Ndihesha shumë keq.

E njoh shumë mirë Rafaelin, ne njihemi që në vitet 2000, kur të dy ishim fëmijë. Jetonim në të njëjtin qytet në Ganë. Ne kemi luajtur në akademi kundër njëri-tjetrit, nuk kemi qenë në një skuadër, por kemi pasur shoqëri të përbashkët. Luanim në skuadrat e të njëjtit qytet, si të themi Tirana dhe Partizani këtu. Gjithnjë shiheshim në ndeshje dhe në qytet, luanim dhe bisedonim së bashku. Rafaeli jetonte me gjyshen e tij. Kjo e fundit ishte mësuesja ime në shkollë.

Gjyshja e tij nuk dëshironte ta linte Rafaelin të luante futboll, nuk e pëlqente. Por ai nuk ndalej, sepse e vetmja gjë që donte më së shumti ishte të luante futboll. Ai e hoqi defribilatorin. Nuk e di pse e bëri këtë. Në Ganë është si një zi kombëtare. Çdokush ka derdhur lot për Rafaelin. Në momentin kur trupi i tij do të transportohet për në Ganë, do të shkoj atje, që t’i kryej nderimet e fundit.

Related posts

Teuta e nis sezonin me rinovime, dy titullarët pjesë e skuadrës edhe për një sezon

AF Elbasani gjen menjëherë zëvendësuesin e Nevil Dedes, pritet firma me trajnerin e njohur

Filip Najdovski bën prapakthehu, mbrojtësi hedh firmën mbi kontratë (FOTO)