Ilir Daja ka folur në konferencë për shtyp, ndërsa në prag është ndeshja e kthimit që Dinamo do të luajë me Atletic D’Eskaldes.
Trajneri i dinamovitëve u shpreh:
“Atëherë po themi që jemi mirë sepse rikthehen Dita dhe Itodo që nuk kanë qenë në ndeshjen e parë. Për të sqaruar edhe opinionin e tifozëve të Dinamos, por që të dy nuk kanë qenë në gjendje për ndeshjen e parë. Kemi mungesën e Rustemit, një tjetër kapiten i ekipit, që fatkeqësisht do të mungojë. Pati një dëmtim në seancën e pardjeshme. Kemi në diskutim edhe një tjetër lojtar, për arsye shëndetësore, por që do shohim deri nesër. Mendoj që do ishte shumë mirë të kishim gjithë kontingjentin në dispozicion, por që jemi mrië.
Nesër është ndeshja e 56-të në Europë si trajner. Që do të thotë asnjëherë nuk ka pasur një ndeshje të lehtë. Sado në letër të jetë i nivelit të lartë ose jo. Kemi bërë një hap të mirë në ndeshjen e parë, jo vetëm në rezultat, por që kemi bërë një pjesë të dytë goxha të mirë. Dihet që këto ndeshje nuk përfundojnë me ndeshjen e parë, por duhet akoma më shumë të jemi të fokusuar nesër pavarësisht rezultatit që kemi marrë në Andorra.
Edhe kur kam arritur në grupe në drejtimin e Skënderbeut dhe Ballkanit, nuk e kam menduar në turin e dytë kualifikues shkuarjen në grupe. I kemi marrë gjërat hap pas hapi. Këtë gjë do bëjmë edhe me Dinamon, pastaj do shohim deri ku mund të arrijmë.
Jemi në një dinamikë merkato dhe kur lojtarët afirmohen, si ka bërë jo vetëm Itodo dhe Zabërgja, na vjen mirë që mund të shkojnë në kampionat më të fortë. Asnjë trajner nuk do të largohet asnjë lojtar, por dinamika e merkatove ka bërë që klubet shqiptare të shikojnë edhe këtë potencial financiar, në mënyrë që klubi të ketë ekonomi të shëndoshë edhe për vitin tjetër. Pavarësisht se ne si klub nuk kemi pasur asnjëherë problem me anën financiare. Pasi dihet që presidenti ka qenë super korrekt me këtë gjë”, u shpreh Ilir Daja.