Historia e flamurit të Shqipërisë!

Flamuri i Shqipërisë është flamuri kombëtar shqiptar, një flamur me fushë të kuqe dhe një shqiponjë dykrenare të zezë në mes.Fusha e kuqe ka domethënien e gjakut që kanë derdhur paraardhësit tanë.Shqiponja me dy kokë ka domethënien e bashkimit të jugut me veriun që i bashkoi Gjergj Kastrioti për të luftuar kundër ushtrisë Osmane.

Prejardhja

Shqiponja ka qenë prej fillimit të Kulturës Ilire në Ballkan simbol shumë i rëndësishëm. Edhe në periudhën e Romës antike shqiponja ka qenë simbol i këtij shteti. Si simbol i Romës, shqiponja u përdor edhe nga strategët e saj si Kaj Mari, Luç Serg Katilina, Pompeu i Madh, Çezari etj. P.sh., ky i fundit përdorte si simbol të tij shqiponjën e artë të vendosur në një fushë të kuqe. Po kështu veproi me stemën e Çezarit edhe i nipi Oktavian Augusti, i cili u pasua më vonë edhe nga Kostandini i Madh.

Me ndarjen e Perandorisë Romake në vitin 395, shqiponja u transformua me dy koka, duke simbolizuar njëra Perandorinë e Perëndimit me qendër Romën dhe tjetra Perandorinë e Lindjes me qendër Kostandinopojën (Bizantin). Ndërkohë Perëndimi u pushtua nga barbarët në vitin 476, duke humbur traditat më të vyera të antikitetit, e bashkë me to edhe simbolin e tij. Ndërsa Lindja (Bizanti) vazhdoi të jetojë edhe për 10 shekuj të tjerë duke ruajtur këtë simbol që vinte prej “qytetit të amshuar” (Romës). Formën dhe ngjyrat e tij, flamuri Bizantin i mori gjatë sundimit të Justinianit (527-562), perandorit me origjinë Ilire. Dukej se atij i pëlqente që dy kokat e shqiponjës t’i identifikonte me vetveten dhe të shoqen, Perandoreshën Teodora. Më vonë, me kalimin e kohës, me anë të martesave dhe dhënies së privilegjeve, Bizanti ia dhuroi simbolin perandorak fisnikërisë së kombeve, që ishin integruar në këtë Perandori shumëkombëshe si: Princave rumunë, bullgarë, gjermanë, rusë, serbë, grekë, shqiptarë etj.

Kjo është arsyeja që këtë simbol sot e përdorin një dyzinë popujsh e shtetesh, të cilat dikur kanë pasur kontakte kulturore me Bizantin. Ndërkohë që ai shfaqet si simbol i kishës Ortodokse, pasardhëse e drejtpërdrejtë e Perandorisë së Lindjes, Bizantit.

Flamuri Bizantin ruhet sot në një nga manastiret e malit të Shenjtë (Atos) në Greqi, në ngjyrat e tij origjinale shqiponjën e zezë me dy koka, të vendosur në një fushë të artë.

Muzakajt dhe Bizanti

Një nga njerëzit më të shquar të kohës së tij në Shqipërinë e shekullit të XIV ishte edhe Princi Andrea i II-të Muzaka. Me ndihmën e Balshajve dhe aleatëve të tjerë të tij si Arianitët, Matrengët, ai theu në vitin 1370 pranë Kosturit Mbretin serb, Vukashinin, që ishte zotërues i Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore (Histori e Popullit Shqiptar. Tiranë 2002, fq.294). Pas kësaj fitoreje të bujshme, perandori bizantin Joani i V-të Paleolog i konfirmoi A. Muzakës titullin e despotit (Princit), duke i dhuruar stemën perandorake bizantine, siç ishte shqiponja e zezë me dy krerë e me yll në mes, vendosur në një fushë të artë. Kjo zëvendësoi emblemën e hershme të Muzakajve, e cila paraqiste një burim që shpërthente nga toka dhe ndahej në dy rrjedha, duke pasur një pishtar në mes.

Këtë ndërrim simbolesh humanisti shqiptar Gjon Muzaka e pasqyron kështu në memorialin e tij:”Duhet ta dini se qysh nga kohët antike stema e derës tonë ka qenë një krua i gjallë i cili rridhte në tokë me dy rrjedha në dy anë…. Pastaj kanë pasur shqiponjën me dy krerë të kurorëzuar me një yll në mes”. (Gjon Muzaka. Memorie. Tiranë 1996. fq. 24).E pas këtij pasazhi të parë nga i njëjti burim mund të përmendim se në kishën e madhe të Frankavilës në Otranto (Itali) ndodhet një tjetër epitaf i gdhendur mbi pllakën e varrit të despotit Gjon Muzaka. “I Plotfuqishmi Jezu të falet këtu Gjon Muzaka, i biri i Gjin Despotit, Zot i Myzeqesë dhe i Epirit që nga qytetit i Bizantit trashëgoi shqiponjën dy krenare që mbante në flamur”.

Related posts

Si sot 19 Korrik!

Si sot 19 Qershor!

9 ishuj përrallorë që pak njerëz i dinë dhe që duhet t’i vizitoni patjetër këtë vit!